Bukuria e lotëve të Messit

3 Minuta Lexim
Mbrëmë ndërsa pritej ceremonia ku Argjentina do t’i linte Spanjës vendin e kampionit të botës, Lionel Messi u shfaq i përlotur në ekranet e gjithë globit. Nga një gugllim i shpejtë këtë mëngjes shoh se disa nga mediat prestigjoze botërore krahas lajmit kanë nxituar të kërkojnë arsyet që janë burim i atyre lotëve fisnikë.
Disa shohin tek ato pika loti perëndimin e një mjeshtri që, ashtu si Diego Maradona dikur, po i dorëzon mitologjisë argjentinase një tjetër kapitull të shenjtë.
Për të tjerë ata lotë ishin dëshmia vizuale e peshës së rendë të një kurore; një peshë që bëhet dyfish më e rëndë në një vend si Argjentina, ku futbolli nuk është thjesht lojë, por një fe që kërkon shpirtin si sakrificë.
Të tjerë shohin aty edhe jetën e zakonshme që vazhdon përtej fushës së blertë: ankthin e një biri për sëmundjen e të atit, Jorges, si dhe pasigurinë e një të ardhmeje që po troket.
Është e natyrshme që njerëzia të kërkojë simbole pas aktesh të tilla, mendja njerëzore ka nevojë për tregime epike, ku çdo gjë ka një apo disa kuptime. Por ndoshta, gabimi i radhës është insistimi për t’i veshur çdo gjesti të kryemjeshtrit një kuptim filozofik apo historik, duke harruar se, në shumicën e rasteve ndjenjat dhe emocionet nuk hyjnë dot në kallëpet e fjalëve pa u sakatuar.
Pse duhet të kërkojmë medoemos një mesazh të fshehur pas atyre lotëve? Pse nuk mund t’i shohim thjesht si dëshminë më të pastër të njerëzores që gjallon brenda kryemjeshtrit?
Në fund të fundit, përpara se të jetë një gjeni i futbollit, një ikonë globale apo një mit i gjallë, Messi është një njeri. Dhe në atë moment, ka të ngjarë që lotët e tij nuk kishin shumë dallim nga lotët e cilitdo prej nesh, kur jeta e bie të përballemi me kufijtë e vetes, me lodhjen e grumbulluar apo me dhimbjen e kohës që ikën, rrjedh.
Bukuria e vërtetë e atyre lotëve nuk qëndron te statistikat që Messi la pas apo te titujt që fitoi, por te fakti që, nën dritën e fortë të projektorëve, njeriu fitoi mbi kryemjeshtrin e përmasave botërore.
Ata lotë na kujtuan se askush, as ai që ka prekur maja të paarritshme dhe është kthyer në një ikonë, nuk i ikën dot paracaktimit fatlum për të qenë NJERI.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull