Nga Edlira Ruzi-
TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Në fundjavë u zhvillua edicioni i parë i Ditës së Grupit të Pilurit, një aktivitet kushtuar grupit legjendar të polifonisë shqiptare që për më shumë se gjashtë dekada ka lënë gjurmë në kulturën kombëtare.
Në Qendrën Muzeu i Fjalës “Lefter Çipa”, në Pilur, u mblodhën anëtarët e brezave të ndryshëm të grupit, banorë, miq dhe admirues të këngës labe për të kujtuar historinë dhe trashëgiminë e tyre. Mes interpretimesh të këngëve që i bënë të njohur në Shqipëri e më gjerë, ish-anëtarët ndanë kujtime nga vitet e arta të grupit, sollën në vëmendje historitë, udhëtimet e koncertet që i bashkuan ndër vite. Ishte një ditë emocionesh të sinqerta, ku nostalgjia u ndërthur me krenarinë për një trashëgimi artistike që vazhdon të frymëzojë brezat.
Aktiviteti, i mundësuar nga Bashkia Himarë dhe Qendra Muzeu i Fjalës “Lefter Çipa”, synon të kthehet në një traditë të përvitshme, në nderim të Grupit të Pilurit.
Një vlerë të veçantë aktivitetit i shtoi edhe bashkëpunimi me Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), të cilat kontribuuan me fotografi të rralla nga arkivat e tyre, duke sjellë në vëmendje historinë e Grupit të Pilurit dhe pjesëmarrjen e tij ndër vite në Festivalet Folklorike Kombëtare, si edhe momente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Vlorës. Ekspozita fotografike u kthye në një udhëtim kujtese, ku çdo imazh risolli emocione, histori dhe krenarinë për një grup që mbetet simbol i polifonisë shqiptare.
Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa, e pranishme ne aktivitet vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit, duke theksuar se është kënaqësi që Agjencia Telegrafike Shqiptare kontribuoi me fotografi nga arkivi i saj historik, të cilat dokumentojnë një pjesë të vyer të historisë së folklorit shqiptar. Sipas saj, këto imazhe janë kujtesë dhe identitet, pasi sjellin në vëmendje jo vetëm Grupin e Pilurit, por edhe Festivalet Folklorike Kombëtare, pasurinë e kostumeve, valleve dhe traditave të Labërisë e Vlorës.
Zhupa theksoi se nxjerrja e këtij arkivi para publikut i jep jetë historisë dhe ndihmon në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, ndërsa kujtoi se iso-polifonia shqiptare vazhdon të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare, siç dëshmon edhe përfshirja e saj në kolonën zanore të filmit “The Odyssey”.
“Grupi i Pilurit në jetën dhe veprimtarinë e vet shënoi kulme të kreativitetit, të pasurisë së fjalës, shënoi kulme të arritjes së noviteteve melodike, shënoi kulme në estetikën e paraqitjes dhe të interpretimit të artistëve që nxorri Piluri. Ishte një sipërmarrje në kohë të vështirë por ishte i pasur shpirti”, u shpreh Aleksander Çipa, i biri i Lefter Çipës, drejtuesit dhe frymëzuesit të Grupit të Pilurit.
Milto Gjiçani, i lindur në Pilur në 1948 dhe që tërë jetën ka jetuar aty, rrëfen se mësoi fyellin që në moshën 9-vjeçare. Ai kujton se, nga fundi i 1966-ës, në Pilur, shkoi Lefter Çipa dhe krijoi grupin, ku Miltoja mori pjesë me fyell. Ky anëtar i Grupit të Pilurit tregon se grupi fitoi njohje dhe vlerësim të gjerë pas pjesëmarrjes në Festivalin Folklorik Kombëtar, me pjesën “Bejkë e bardhë”, një këngë tashmë e njohur e polifonisë labe.
Kristo Çipa, Mjeshtër i Madh, drejtues i Ansamblit Folklorik “Bejkë e Bardhë-Pilur”, pasues i grupit të dikurshëm, tha për ATSH-në se në 11 dhe 12 shtator do të organizohet Festivali Folklorik “Netët e Bejkes së Bardhë”, edicioni i shtatë.
Ai shpjegoi se, “Bejka e bardhë” është simbolika e jetës baritore që ka bërë Piluri. “Bejka, delja e bardhë, është simboli i femrës së bukur. Pasi u këndua kënga “Tundu, bejkë e bardhë tundu”, këngëtares nuk i thirrën më me emrin e saj por “Bejkë e bardhe”, thotë Çipa.














































