Nga Agron Tufa-
Miq të shtrenjtë, poetë, shkrimtarë, studiues, përkthyes, lexues me shije të rafinuar! Sot kurorëzova aventurën time përkthimore, absolutisht më të vështirën, me sjelljen nga origjinali në shqip të romanit në vargje “Jevgenij Onjegin” të A.S. Pushkinit.
Përkthimi tërësor i “Onjeginit” më ka frikësuar, qëkur kam bërë krahasimin e parë të origjinalit me përkthimin ekzistues shqip, gjatë kohës së studimeve të mia universitare në Institutin e Letërsisë “A.M. Gorki”, Moskë 1994-2001). Mospërputhjet kuptimore të përkthimit me origjinalin, që rriten nga vargu në varg, në një shtrirje përgjatë mbi 500 strofash katërmbëdhjetëvargjëshe, natyrisht që e zmadhojnë distancën mes origjinalit dhe tekstit të përkthyer, aq sa shpesh dyshon nëse vepra është përkthyer nga origjinali…
Disa stofa të Onjeginit kam nisur t’i përkthej që atëherë, sa për të provuar mundësinë e një përkthimi të ri metrik e rimor, por besnik ndaj origjinalit. Kam provuar t’i rikthehem sërish e sërish me strofa të veçanta pas kthimit nga studimet, por pa guxuar të vendos t’i përkushtohem tërësisht. Më duhej megjithatë një shtysë, një shtysë e fortë dhe këmbëngulëse, e cila erdhi, më në fund, disa herë, nga poetja e njohur dhe botuesja Rita Petro, për herë të fundit gjatë Panairit të Librit të Gjenevës, në mars të vitit 2025.
Që të nesërmen rishikova ç’kisha grumbulluar nga përvojat e mëhershme përkthimore me “Onjeginin” dhe që të nesërmen nuk mund t’i shmangesha dot përballjes së shtyrë vazhdimisht “për më vonë” me një robërim e magjepsje të plotë, një ethe e bukur torturuese çdo ditë, çdo natë, tërësisht i kredhur në botën e strofave onjeginiane. Dhe që në ditën e parë kuptova se çelësi i vërtetë i përkthimit të çdo strofe nuk është kuptimi, por përsëritja e vazhdueshme përmendësh e origjinalit me zë, me vesh.
Kështu, kam përkthyer “me vesh”, duke e hedhur në letër në disa variante, vetëm pasi struktura tingullore e çdo strofe ishte formuar në ndërgjegje. Dalëngadalë, duke përsëritur tekstin origjinal, disa fjali fillonin të bëheshin shqip: një shprehje e gjetur, një rimë, një aliteracion, që dukej sikur mund të vijonin, të krijonin jehonë — dhe kur kjo jehonë formohej, gjithmonë në mendje, merrja fletën dhe përpiqesha, si të thuash, të tërhiqja fijet për të organizuar strofën, gjithmonë duke e përsëritur tekstin rus.
“Onjegini” është një nga ato vepra që, si “Komedia Hyjnore”, krijohen nga forma që vetë shpikin. Strofa me katërmbëdhjetë vargje tetërrokëshe (katër theksa jambikë) përmban të gjitha lojërat e mundshme të rimës: një katërvargësh me rimë të kryqëzuar, dy çifte rimash të thjeshta, një katërvargësh me rimë të puthur, pastaj sërish dy rima të thjeshta, për një mbyllje epigramatike, si në sonetin anglez. Kjo skemë është në vetvete një mënyrë e rrëfimit, dhe për këtë arsye më është dukur e domosdoshme ta riprodhoj — duke u përpjekur, natyrisht, të mos mjaftohem me skeletin e rimave: lexuesi duhet të jetë në gjendje ta ndjekë, me zë ose me “veshët e syve”, një strukturë ku rimat janë vetëm momente të theksuara, por asnjëherë të shkëputura nga materia tingullore.
Duke shkruar në shqip atë që dëgjoj në rusisht, duhej të transkriptoja këtë strukturë të imët, duke e ditur mirë se çdo përkthim, çfarëdo qoftë ai, nuk mund të mos mbetet larg nga mrekullia e thjeshtësisë, hirit, harmonisë, lehtësisë dhe humorit të gjuhës së Pushkinit.
Kjo hap një mal me vështirësi si për llojin e metrit tradicional silabo-tonik shqiptar, që nuk përkon me përpikmërinë e theksave silabo-tonikë rusë (mosshqiptimi apo shqiptimi i pjesshëm i “ë”-së), ashtu dhe me natyrën e gjuhës së ashtuquajtur “standarde” shqipe, që për përkthimin e vargut të poezisë klasike ka dy të meta të mëdha: mungesa e paskajores dhe format e përcjellores. Kur flas për mungesën e paskajores, kam parasysh paskajoren gege (që formohet me “me” plus pjesore, si për shembull: “me dashtë”, që nuk ngushëllohet me asnjë përmbushje tjetër me lidhoren apo përcjelloren – “të duash”; “për të dashur”).
Çështja e përcjellores shqipe me “duke” plus pjesoren e fut dramatikisht në krizë vargun në shqip, sepse shpesh është dyfish më e gjatë në silabe se sa origjinali, në këtë rast pushkinian. Rusishtja e formon përcjelloren mbi formën e foljes në paskajore, duke i ndryshuar asaj vetëm shkronjën e fundit. Pra, jashtëzakonisht e kursyer, ekonomike, elipsore, ndërkaq që shqipes, nëse marrim, fjala vjen, foljen “shkoj” (me shkue), i duhet një “duke” dhe pastaj një “uar”, kundrejt rusishtes që, nga paskajorja “idti” formon përcjelloren me një ndryshim shkronje në – “idja”, pa shtuar asnjë silab më tepër.
Çfarë do të thotë kjo për një varg klasik tetërrokësh me rimë dhe me skemë tetrametri? Ka ikur gjysma e vargut, që në fjalën e parë, pa llogaritur ritmin dhe theksat. Dhe vështirësi të tilla të zbutjes, lëmimit, gdhendjes, gjetjes së një rruge pa lëshur asnjë grimë kuptimi nga origjinali të futin në “ethen torturuese” të fjalës; strofa zgjat gjithë ditën apo ditë të tëra në gjetjen e një zgjidhjeje dhe shpengimin nga ngërçi.
Sepse përkthimi i poezisë së rimuar klasike, është si ekzekutimi i partiturës klasike: një notë a gjysëm note më shumë apo më pak, i jep fund harmonisë muzikore, fjala vjen të “fugave” të J.S. Bah…
Këtë pamjaftueshmëri të shqipes së njësuar në poezi, këtë tejzgjatje të saj në nivel leksikor apo forma gramtikore kaba, mund ta zbusin vetëm “gegnizmat”, përftesat e fjalëve, fjalëformat dhe format e pjesores së shkurtër. Pa përfshirjen e kësaj lënde të gjallë gjuhësore, “Onjegini” mund të përkthehet i plotë veçse në prozë.
Përkthimi i poezisë në përgjithësi dhe më përveçmas – përkthimi i poezisë klasike – është lufta me thuajse të pamundurën. Në rastin e romanit në vargje “Jevgenij Onjegin”, për shkak edhe të strofës së koklavitur onjeginiane, kjo betejë me të pamundurën, shndërrohet, në rastet fatlume, në aventurën kalorsiake me të rëndësishme në gjuhën amtare të një përkthyesi.
Në këtë botim është zgjedhur një transkriptim i drejtpërdrejtë i emrave nga rusishtja, me synim afrimin ndaj shqiptimit të tyre dhe shmangien e formave të ndërmjetësuara nga tradita të tjera gjuhësore.
Zgjedhja e formave si ‘Jevgenij’ nuk është vetëm çështje besnikërie fonetike, por edhe një mjet për të ruajtur ekuilibrin metrik dhe profilin ritmik të vargut pushkinian në shqip.
Më poshtë po jap 3 strofat e para të fillimit sa për shije:
KUSHTIM
Jo të zbavis botën stërnaze,
T’i bie miqësisë në sy,
Të të dhuroj do desha mbase
Një peng më të denjë për ty ,
Më bukur shpirtit tënd të thellë,
Mbushur ëndrra e shenjtëri,
Një poezi të gjallë, të kthjellë,
Mendim të lartë e thjeshtësi;
Merri pra me dorë të ndjerë
Këta kapituj laraganë
Pak qesharakë, pak të trishtë,
Të çiltër krejt, idealisht,
Fryt argëtimesh ato janë
Të pagjumësisë, të frymëzimit,
Moshës rinore e të rreshkur,
Me mendjen akull të vëzhgimit, –
Shënimet e zemrës së dhembshur.
KREU I PARË
Me jetue ngutet, me ndie nxiton.
Princ Vjazemski .
I
“Im ungj, një burrë pik’ e nderit,
Kur u sëmur, jo për shaka,
Na vuri ta nderojmë njëherit –
Sajesë më të mirë s’ka.
Huq’ i tij – shkencë për të tjerët,
Por, ah o Zot, ç’mërzi e vrerët
T’i rrish te koka dit’ e natë,
Pa u larguar asnjë hap!
Po ç’djallëzi e poshtëruar
Gjysëm të gjallin t’argëtosh,
Nënkresat t’ia rregullosh,
Tek sjell ilaçet i trishtuar,
Të fshash e të mendosh me zjarr:
Po dreqi kur do të të marrë!”
II
Kështu shpërrallej ky tyryfil,
Mbi karro poste – flaurí,
Deshi Zeusi lart në qiell,
E la trash’gim për fis të tij.
Miq të Ljudmillës dhe Rusllanit!
Heroin tim të romanit
Pa humbur kohë, lejomëni
T’jua sjell para që tani:
Është Onjegini, mik pa çmim,
Në breg të Nevës erdh në jetë
Ku ndoshta erdhët dhe ju vetë
A gjurmë latë, lexuesi im;
Aty brodha dhe unë dikur
Porse veriu më sëmur

