Nga Flamur Vezaj-
Biznesmeni shqiptar Artur Shehu, aktualisht nën hetim nga SPAK dhe për të cilin është lëshuar urdhër arresti në
Shqipëri, ka një histori pak të njohur me autoritetet amerikane të emigracionit, që nis me marrjen e azilit politik në vitin 2001 dhe përfundon me një padi federale kundër disa prej institucioneve më të rëndësishme të SHBA-së.
Dokumentet gjyqësore amerikane të siguruara nga “MaShqip” tregojnë se Shehu fitoi azilin në Shtetet e Bashkuara më 9 mars 2001. Në letrën zyrtare të atëhershëm Immigration and Naturalization Service thuhet se kërkesa e tij I-589 për azil ishte miratuar dhe se Shehut i jepej statusi i azilantit në SHBA.

Pas marrjes së azilit, Shehu nisi procedurat për t’u bërë rezident i përhershëm amerikan. Dokumentet tregojnë se aplikimi i tij I-485 për Green Card u mor nga autoritetet amerikane të emigracionit më 2 dhjetor 2003, si aplikim për rregullimin e statusit të një personi që kishte përfituar azil. Në dokumentin e pranimit të aplikimit, autoritetet amerikane parashikonin atëherë një kohë normale përpunimi prej rreth 450 deri në 480 ditësh.
Por për Artur Shehun procedura do të zgjaste shumë më tepër. Në vitin 2005, USCIS i kërkoi dokumente shtesë, përfshirë ekzaminimin mjekësor, dokumentacionin e vaksinimit dhe informacion biografik.
Më 8 mars 2007, sipas korrespondencës së avokatëve të tij, Shehu dha edhe të dhënat biometrike në një qendër të USCIS në Miami. Në vitet 2008 dhe 2009, avokatët e tij iu drejtuan përsëri autoriteteve amerikane për të kërkuar informacion mbi fatin e aplikimit. Më 14 korrik 2009, dosja I-485 e Shehut u transferua në Miami Asylum Office për procedim të mëtejshëm.

Por edhe kjo nuk solli një vendim. Në prill 2011, avokati Joshua Bratter i shkruante Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe USCIS se aplikimi i Shehut vazhdonte të ishte pezull dhe kërkonte shpjegime për atë që e cilësonte si “vonesa të jashtëzakonshme”.
Vitet kaluan dhe Green Card ende nuk kishte një vendim përfundimtar. Në vitin 2018, Artur Shehu vendosi ta çonte qeverinë amerikane në gjykatë. Ai ngriti në Gjykatën Federale për Distriktin Jugor të Floridës çështjen Artur Shehu v. Jefferson Sessions et al., 1:18-cv-24331, duke paraqitur një Petition for Writ of Mandamus.
Me këtë padi, Shehu kërkonte ndërhyrjen e gjykatës për aplikimin e tij të vonuar I-485. Në proces u thirrën si të paditur ose iu dërguan summons ndër të tjera Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së, Sekretarit të Homeland Security, Drejtorit të FBI-së, Drejtorit të USCIS, drejtuesve të USCIS në Nebraska dhe Miami dhe Prokurorit Federal.
Vetëm disa muaj më vonë pati zhvillimin vendimtar. Më 5 shkurt 2019, avokati i Shehut njoftoi gjykatën se USCIS kishte marrë tashmë vendim mbi aplikimin e vonuar I-485. Për këtë arsye, Shehu e tërhoqi vullnetarisht padinë, pasi objekti i saj ishte bërë i panevojshëm. Raportimet e OCCRP thonë se Shehu mori Green Card në vitin 2019, duke i hapur më pas rrugën marrjes së shtetësisë amerikane.
Çfarë deklaroi se ishte arsyeja e azilit?
Dokumenti amerikan i miratimit të azilit që disponon “MaShqip” konfirmon marrjen e azilit në vitin 2001, por nuk përmban aplikimin origjinal I-589 dhe nuk tregon historinë konkrete mbi të cilën autoritetet amerikane e miratuan kërkesën.
Një version për arsyen është dhënë së fundmi nga avokati i Shehut, Kujtim Cakrani. Sipas deklarimeve të Cakranit të raportuara nga The Wall Street Journal, Shehu kishte kërkuar azil duke deklaruar se ishte sulmuar nga grupe prokomuniste për shkak të pikëpamjeve të tij antikomuniste. Avokati tha gjithashtu se xhaxhai dhe vëllai i Shehut ishin vrarë.

Sipas të njëjtit version, Shehu fitoi azilin pasi paraqiti këto rrethana para autoriteteve amerikane. Megjithatë, ky është versioni i dhënë nga avokati i Shehut. Dokumentet e azilit që MaShqip ka siguruar deri tani provojnë miratimin e azilit, por jo arsyet konkrete mbi të cilat u mbështet vendimi.
Vetë Artur Shehu ka konfirmuar publikisht statusin e tij. Në një lidhje nga Miami për emisionin “Opinion”, duke folur për çështjen e pronave në Zvërnec, Shehu deklaroi: “Kam 29 vjet pa ardhur në Shqipëri. Kam azil politik në Amerikë.”

Historia e tij me emigracionin amerikan, megjithatë, është shumë më e gjatë se kaq: azil në 2001, aplikim për Green Card në 2003, vite të tëra pritjeje dhe kërkesash për përgjigje, deri te padia federale e vitit 2018 dhe vendimi mbi Green Card në vitin 2019.
Sot, Artur Shehu është në qendër të një hetimi të gjerë të SPAK për krim të organizuar. Sipas dosjeve hetimore të shqyrtuara nga “MaShqip”, prokurorët dyshojnë se Shehu dhe persona të lidhur me të janë përfshirë në trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt porteve europiane dhe në pastrimin e të ardhurave të dyshuara kriminale përmes investimeve në pasuri të paluajtshme. SPAK ngre gjithashtu dyshime për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara të pronësisë, krijimin e titujve të rremë ose zmadhimin artificial të sipërfaqeve të pronave, përfshirë tokat në Zvërnec të lidhura me projektin e resortit të mbështetur nga Jared Kushner. Ndaj Shehut është lëshuar urdhër-arrest në Shqipëri, ndërsa fondet nga transaksioni i tokës janë bllokuar nga autoritetet. Shehu i mohon akuzat; avokati i tij, Kujtim Cakrani, ka deklaruar se klienti i tij nuk është as trafikant droge dhe as falsifikues dokumentesh dhe se pretendimet e SPAK nuk qëndrojnë
VIJON

