Drejtori i Ujësjellësit u rrah me leva pse hoqi nga puna gruan e “të fortit” të Elbasanit. Reagon Policia: E pamë në media

2 Minuta Lexim

Drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit, Luan Tabaku, dyshohet se është dhunuar nga dy persona, ditën e dielë, në mes të qytetit, ndërsa për ngjarjen nuk ka pasur asnjë kallëzim në Polici, apo Prokurori.

Tabaku është dhunuar nga dy persona, të cilët dyshohet se janë shtetasit Endri Çopja dhe Horgito Peqini, duke i shkaktuar hematoma në kokë, zyrtarit lokal.

Megjithatë, ngjarja duket se është tentuar të mbahet e fshehtë dhe nga vetë i dhunuari Tabaku, i cili nuk ka bërë kallëzim në Polici. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit, thanë se Tabaku nuk ka bërë asnjë kallëzim, dhe informacionin për dhunimin e pretenduar e kanë marrë vetëm pas publikimit të lajmit në media.

“Në lidhje me informacionin e dhunimit te Drejtorit te Ujësjellësit në Elbasan Luan Tabaku zyrtarisht bëhet me dije se në DVP Elbasan nuk ka asnjë denoncim mbi rastin në fjalë dhe as referim nga ana e Prokurorisë. Kemi informacion për çfarë ka dalë në media dhe po bëjmë veprimet tona, por ligjërisht, për sa kohë nuk ka denoncim apo referim zyrtar nga Prokuroria, nuk mund të ndërmarrim hapa të tjerë procedural”, ka njoftuar policia.

Mësohet se shkak për ngjarjen e rëndë është bërë largimi nga puna që Luan Tabaku i ka bërë bashkëshortes së Endri Ccopjas.

Ky i fundit është një personazh me të shkuar kriminale, pasi është arrestuar më herët nga policia si i dyshuar për përfshirjen në atentatin me eksploziv ndaj Lulzim Kullës, ngjarje e ndodhur më 13 janar 2018 në Shkodër, ndonëse u lirua pasi nuk u gjetën prova.

Edhe i dyshuari tjetër për dhunimin, Horgito Peqini, është nipi i Eduart Peqinit, i njohur si “Mandela i Elbasanit”, dhe është liruar nga burgu vetëm pak kohë më parë, ku kishte vuajtur një dënim për një vrasje të ndodhur në vitin 2022.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull