Nga Muharrem Jakupi-
Fjalimi i Edi Ramës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, më 25 shtator 2026, ngrihet mbi një shqetësim real të komunikimit bashkëkohor: Inteligjenca Artificiale nuk është vetëm mjet prodhimi informacioni, por mund të shndërrohet në mjet shumëfishimi, personalizimi dhe shpërndarjeje të tij në përmasa që komunikimi tradicional nuk i njihte. Rama e formulon qartë këtë ndryshim kur dallon të drejtën e fjalës nga fuqia e shpërndarjes dhe vëren se kjo e fundit mund të blihet, automatizohet dhe manipulohet. Në këtë pikë, fjalimi prek një problem serioz: teknologjia mund t’i japë një aktori politik, ekonomik ose shtetëror mundësinë të prodhojë mesazhe të ndryshme për grupe e individë të ndryshëm, të përshtatura sipas frikërave, bindjeve ose paragjykimeve të tyre.
Madje një nga vëzhgimet më të goditura të fjalimit është pikërisht se propaganda e re nuk ka pse të jetë më uniforme. Dy qytetarë mund të jetojnë pranë njëri-tjetrit dhe njëkohësisht të marrin narrativa krejt të ndryshme, të prodhuara posaçërisht për botët e tyre emocionale. Në këtë kuptim, Rama nuk përshkruan një botë të njëtrajtshme të informacionit, por një botë të fragmentuar në shumë zëra sovranë.
Megjithatë, pikërisht këtu fillon edhe kontradikta apo paradoksi themelor i fjalimit. Edhe pse ai pranon shumësinë e mesazheve, struktura e argumentimit të tij priret të vendosë pas tyre një fuqi funksionalisht të centralizuar. Sipas tij, dikush financon, programon, amplifikon, shënjestron dhe përdor IA-në për të orientuar perceptimin e qytetarëve. Pra, pluraliteti i dukshëm i zërave shpjegohet nëpërmjet një qendre të fuqisë manipuluese. Kjo e çon fjalimin drejt një lloj monizmi funksional: shumë mesazhe, por një mekanizëm dominues që kërkon të përcaktojë hapësirën e perceptimit.
Problemi është se fuqia mbi shpërndarjen nuk është domosdo edhe fuqi mbi kuptimin. Midis mesazhit dhe efektit politik qëndron marrësi. Qytetari nuk është një sipërfaqe bosh mbi të cilën informacioni shkruan çfarë të dëshirojë. Ai e interpreton mesazhin përmes përvojës së tij, dijes, kujtesës, interesave, marrëdhënieve shoqërore, bindjeve të mëparshme dhe autoriteteve të tjera që pranon. Në terminologjinë semiotike, ai e lexon mesazhin përmes “enciklopedisë” dhe botës së intersave të veta. Prandaj mund të ekzistojë fuqi e jashtëzakonshme e dërgimit dhe shpërndarjes, pa ekzistuar një fuqi po aq e madhe mbi interpretimin dhe bindjen.
Në këtë pikë, fjalimi e paraqet qytetarin kryesisht si objekt të veprimit të propagandës dhe shumë pak si subjekt interpretues. Rama shkruan për mundësinë për “të hyrë në mendjen e një qytetari” si dhe për një qytetar që mund të ushtrojë lirinë e zgjedhjes brenda një bote të ndërtuar fshehtas për të. Metafora është e fuqishme, por teorikisht lineare. Edhe një mesazh i personalizuar me saktësi të madhe nuk prodhon automatikisht bindje. Ai mund të prekë një nerv ekzistues, por jo patjetër ta krijojë vetë atë.
Kjo bëhet veçanërisht e dukshme kur fjalimi kalon nga ideja e manipulimit informativ, te mobilizimi politik. Rama pohon se frika shndërrohet në zemërim, zemërimi në mobilizim dhe trillimi në realitet politik. Por vetëm pak më parë pranon se qytetarët “KISHIN ARSYET E TYRE PËR TË PROTESTUAR”. Pikërisht kjo fjali e komplikon të gjithë skemën shkakësore. Nëse ekzistonin më parë një arsye reale objective e pakënaqësive, atëherë duhet bërë dallimi i kujdesshëm midis shkakut të pakënaqësisë dhe mënyrës se si një narrativë e caktuar mund ta orientojë ose ta shfrytëzojë atë. Propaganda mund të japë objekt, gjuhë ose drejtim për një zemërim ekzistues. Mirëpo kjo nuk provon aspak se është pikërisht ajo që e ka prodhuar edhe vetë zemërimin.
Nga kjo pikëpamje, fjalimi e nënvlerëson bazën materiale dhe shoqërore të sjelljes politike. Individët nuk veprojnë vetëm sepse u është dhënë një ide ose një narrativë. Ata reagojnë edhe ndaj përvojave të përditshme të sigurisë ekonomike, pabarazisë, pronës, shërbimeve, marrëdhënieve me institucionet, besimit ose mosbesimit ndaj pushtetit. Ideologjia dhe propaganda mund t’i interpretojnë dhe t’i orientojnë këto përvoja, por nuk mund të zëvendësojnë analizën e tyre.
Dhe paradoksi më interesant i fjalimit shfaqet pikërisht tek zgjidhja që ai propozon. Përballë fuqive të padukshme që manipulojnë shpërndarjen, Rama kërkon forcimin e “sovranitetit digjital”, aftësinë e shteteve për të autentifikuar komunikimin publik, për të zbuluar manipulimin dhe për të ndërtuar një “pasqyrë digjitale” që do të testojë pretendimet duke i krahasuar me “informacionin e autorizuar”! Pikërisht këtu fjalimi merr një drejtim qartësisht SOVRANIST në fushën informative. Prej këtej del se shoqëria duhet të zotërojë instrumentet me të cilat mbron kushtet e formimit (monist) të opinionit të qytetarëve.
Dhe pikërisht këtu lind një problem epistemologjik. Kush e përcakton “informacionin e autorizuar”? Kush vendos se ku përfundon verifikimi i një përmbajtjeje dhe ku fillon interpretimi politik i saj? Të provosh se një video është prodhim artificial është një çështje. Por të përcaktosh se një interpretim politik është “manipulim” është një çështje shumë më e ndërlikuar! Rama siguron se sistemi nuk do t’u tregojë qytetarëve çfarë duhet të mendojnë dhe nuk do të jetë një “ministri e së vërtetës”. Por vetë fjalimi nuk ndërton një kriter të qartë që ndan transparencën nga arbitrimi i së vërtetës.
Kështu krijohet paradoksi qendror: për të kundërshtuar një përqendrim të fuqisë mbi shpërndarjen e informacionit, propozohet një kundërqendër sovrane verifikimi. Kritika e monopolizimit të qarkullimit të informacionit rrezikon kështu të përfundojë në centralizimin epistemik të mbrojtjes kundër manipulimit.
Fjalimi i Ramës ka meritën se identifikon një problem real dhe të ri të demokracive: nuk mjafton të mbrohet vetëm liria për të folur – duhet kuptuar edhe arkitektura që përcakton se çfarë shpërndahet, kujt dhe me çfarë fuqie. Por analiza e tij mbetet e paplotë sepse zhvillon shumë më tepër një teori të emetuesit, algoritmit dhe amplifikimit sesa një TEORI TË MARRËSIT. Njeriu nuk është vetëm pikëmbërritja e informacionit. Ai është interpretues i tij. Dhe në përplasjen kaotike të ligjërimeve të botës së sotme, edhe zëri materialisht më i fuqishëm mund të zotërojë kanalet e shpërndarjes pa zotëruar patjetër kuptimin që formohet në mendjen e marrësit. Pikërisht ky dallim – ndërmjet pushtetit mbi shpërndarjen dhe pushtetit mbi kuptimin – duket se është nyja teorike që fjalimi hap, por nuk e zgjidh.

