KËSHILLA NJË TË RIU QË DO TË BËHET GAZETAR

12 Minuta Lexim
Nga Thoma Gellci-
Nëse ke vendosur të bëhesh gazetar, këshilla ime e parë është të mendohesh edhe një herë. Jo sepse gazetaria është profesion i keq. Përkundrazi. Të jep punë, bukë, miq, armiq dhe, mbi të gjitha, një numër të madh njerëzish që nuk të kanë takuar kurrë, por që do të dinë me saktësi kë mbështet, kë urren, kush të paguan, sa të paguan dhe përse e ke shkruar një artikull.
Ti, si autor, zakonisht do të dish vetëm se çfarë ke shkruar. Ky do të jetë edhe disavantazhi yt kryesor. Lexuesi do të dijë jo vetëm atë që ke shkruar, por edhe atë që ke menduar, atë që ke dashur të fshehësh dhe, në raste të veçanta, edhe atë që nuk ke ndërmend ta shkruash.
Kur je i ri, mendon se me gazetari mund të ndryshosh botën. Me kalimin e viteve ambicia zvogëlohet. Pastaj vjen një ditë kur do të ishe i kënaqur sikur të ndryshoje mendimin e një kushëriri. Në fund do të kuptosh se gazetari është njeriu i vetëm që kalon një pjesë të jetës duke u përpjekur t’ua ndryshojë mendjen njerëzve që nuk ia kanë lexuar shkrimin.
Prandaj këshilla e dytë është kjo: mos beso se fakti që dikush të shan për një artikull do të thotë se e ka lexuar artikullin. Ky është një nga gabimet më të zakonshme të fillestarëve.
Një ditë mund të shkruash një artikull kritik për Sali Berishën. Do të të quajnë komunist, enverist, sorosist dhe të shitur te Rama. Mos u tremb. Një gazetar shqiptar që nuk është quajtur të paktën një herë komunist, fashist, sorosist, ramist dhe berishist, ndoshta nuk ka punuar sa duhet.
Të nesërmen mund të shkruash një artikull kundër Edi Ramës dhe të mendosh se, të paktën atë ditë, berishistët do të të lënë rehat. Mos e bëj këtë gabim. Optimizmi është cilësi e mirë në jetë, por në gazetarinë shqiptare mund të konsiderohet mungesë përvoje.
Mua më ndodhi që, pasi shkrova një artikull kritik për Ramën, një simpatizant i Berishës më shpalli vegël të Ramës. Kur i kujtova se shkrimi ishte pikërisht kundër Ramës, më shpjegoi se e kishte kuptuar që nga titulli çfarë kisha dashur të thosha. Atëherë mësova një nga mësimet më të rëndësishme të profesionit: mos e nënvlerëso kurrë fuqinë e titullit. Në shumë raste ai është edhe fillimi, edhe fundi i leximit.
Dikur njerëzit e lexonin artikullin dhe pastaj zemëroheshin. Sot teknologjia dhe ritmi i jetës e kanë modernizuar procesin. Mund të zemërohesh pa lexuar tekstin dhe, me pak përvojë, edhe pa lexuar titullin.
Prandaj, kur të shkruash një artikull me titull “A mund të vijë Sali Berisha në pushtet?” dhe brenda tij të argumentosh se kjo është pothuajse e pamundur, mos u çudit kur disa mbështetës të qeverisë të akuzojnë se po përgatit kthimin e Berishës. Problemi është se mendimi yt ndodhet brenda artikullit, pra në pjesën më pak të lexuar të tij.
Nëse përpiqesh t’u sugjerosh ta lexojnë shkrimin, ka shumë mundësi të të shpjegojnë se nuk kanë nevojë t’ua tregosh ti se çfarë ke shkruar. Mbaje mend këtë, sepse do të të duhet gjatë gjithë karrierës: autori është shpesh personi më pak i besueshëm për interpretimin e veprës së vet.
Një ditë do të lodhesh nga partitë e mëdha dhe do të mendosh të shkruash për partitë e reja. Do të thuash me vete se njerëzit e rinj, me ide të reja dhe mendësi moderne, duhet të jenë më tolerantë ndaj kritikës. Kjo është një tjetër shenjë se njeriu mund të plaket pa humbur aftësinë për të gabuar.
Mund të shkruash për Agron Shehajn dhe të presësh përgjigje nga mbështetësit e tij. Por mund të ndodhë që të të përgjigjet vetë Agron Shehaj. Këtu do të kuptosh një avantazh ekonomik të partive të vogla. Partia e madhe ka kryetar, organizata, seksione, militantë, zëdhënës dhe njerëz që rrinë gjithë ditën në rrjetet sociale. Partia e vogël mund t’i kursejë këto shpenzime, sepse kryetari mund të jetë njëkohësisht kryetar, anëtar, simpatizant, financier dhe komentues.
Pastaj mund të bësh një gabim edhe më të madh: të marrësh programin e Arlind Qorit dhe ta lexosh. Mos qesh. Ka gazetarë që e bëjnë këtë.
Nëse, pasi ta kesh lexuar, shkruan se çfarë të pëlqen dhe çfarë nuk të pëlqen, do të kesh një rezultat të rrallë. Ata që nuk e duan Qorin do të zemërohen sepse po i bën reklamë, ndërsa ata që e mbështesin do të zemërohen sepse ke guxuar të kritikosh disa pika. Në këtë mënyrë mund të bësh atë që politika shqiptare nuk e ka arritur dot prej dekadash: të bashkosh kampet kundër një armiku të përbashkët.
Armiku, në këtë rast, do të jesh ti.
Njëri do të të quajë komunist, një tjetër neoliberal dhe një i tretë, më kreativ, mund të arrijë te “komunist neoliberal”. Mos e hidh poshtë menjëherë këtë përkufizim. Mund të të duhet për kartëvizitën. Njerëzit kalojnë vite duke studiuar filozofi politike për të përcaktuar ideologjinë e tyre, ndërsa interneti mund ta zgjidhë çështjen brenda tridhjetë sekondash.
Mos prit që debati të kufizohet te politika. Dikush mund të të shajë nga nëna edhe kur është dakord me gjysmën e shkrimit. Nëse i shpjegon se nuk ke thënë atë që ai pretendon, mund të të përgjigjet se nuk ka rëndësi çfarë ke thënë. Ky është një tjetër përparim i epokës moderne. Disa njerëz kanë nevojë për fakte dhe argumente për të arritur në një përfundim; të tjerë kursejnë kohë duke nisur drejtpërdrejt nga përfundimi.
Kur të lodhesh nga politika, do të mendosh se zgjidhja është të shkruash për tema sociale. Do të shkruash për pensionistët dhe do të zemërohen të rinjtë. Do të shkruash për të rinjtë dhe do të zemërohen pensionistët. Nëse shkruan për emigrantët, nga Shqipëria do të të thonë se, meqë jeton jashtë, nuk e njeh më Shqipërinë. Ndërsa emigrantët do të të thonë se, meqë merresh shumë me Shqipërinë, nuk e njeh vendin ku jeton.
Atëherë do të mendosh se ke gjetur shpëtimin te një temë ku nuk mund të ketë politikë: moti. Do të shkruash një artikull me titull: “Vapë e madhe në Tiranë.”
Mos u ndiej i sigurt.
Njëri mund të të akuzojë se po ia faturon edhe vapën Ramës. Një tjetër se po e nxin Shqipërinë. Një i tretë mund të zbulojë se zjarret i ka vënë Berisha. Një shqiptar nga Kanadaja mund të ndërhyjë për të të informuar se atje janë 18 gradë, me një bindje të tillë sa do të fillosh të dyshosh nëse klima e Tiranës ka të drejtë të ndryshojë nga ajo e Torontos.
Mund të provosh sportin. Shiko ndeshjen, lexo intervistën e trajnerit, bisedo me njerëz që e njohin futbollin dhe pastaj shkruaj analizën. Do të mendosh se kësaj here je përgatitur mirë. Por një tifoz i një skuadre tjetër do të të kërkojë llogari pse nuk ke shkruar për presidentin e klubit të tij.
Këtu arrijmë te një rregull shumë i rëndësishëm që duhet ta mësosh para se të hysh në profesion: gazetari shqiptar nuk mban përgjegjësi vetëm për atë që shkruan. Ai mban përgjegjësi edhe për të gjitha shkrimet që mund të kishte shkruar dhe nuk i ka shkruar.
Nëse pas gjithë kësaj vendos të shkruash për një pemë, mos mendo se ke shpëtuar. Mund të mos tregosh ku ndodhet, kush e ka mbjellë, kush e ka ujitur, nëse është pronë shtetërore apo private. Mund të shkruash vetëm për trungun, degët dhe gjethet. Përsëri do të dalë dikush që do të të pyesë pse merresh me atë pemë dhe jo me pyjet që po shkatërron qeveria. Një tjetër do të zbulojë se rrënjët e thella janë metaforë për Berishën. Një i tretë mund të arrijë në përfundimin se pema është një thirrje e koduar për lirimin e Erion Veliajt.
Në drekë pema do të ketë hyrë në politikë, në darkë do të ketë fituar ideologji dhe të nesërmen dikush do të kërkojë që çështjen ta hetojë SPAK-u.
Në këtë pikë mund të mendosh se zgjidhja është heshtja. Mund të shkruash vetëm një fjali: “Sot nuk do të shkruaj asgjë.” Do të ndihesh krenar, sepse më në fund ke botuar diçka pa gabime faktike, pa interpretime politike dhe pa asnjë mendim që mund të shtrembërohet.
Krenaria do të zgjasë pak.
Njëri do të të pyesë pse hesht për Ramën. Një tjetër pse hesht për Berishën. Disa do të kërkojnë të dinë pse nuk po merresh me Shehajn ose Qorin. Brenda gjysmë ore heshtja jote mund të interpretohet si mbështetje për qeverinë, opozitën, oligarkët, Sorosin, Trumpin, reformën në drejtësi dhe kundërshtarët e saj.
Atëherë do të kuptosh një sekret të madh të gazetarisë sonë: sa më pak të shkruash, aq më shumë do të kuptojnë të tjerët. Kur shkruan gjatë, teksti ua kufizon imagjinatën. Kur nuk shkruan asgjë, u jep lirinë e plotë për të zbuluar atë që ke dashur të thuash.
Dhe tani vijmë te këshilla ime e fundit. Nëse, pasi i ke lexuar të gjitha këto, ende dëshiron të bëhesh gazetar, bëhu. Do të thotë se i ke cilësitë kryesore që kërkon profesioni: optimizëm të pajustifikueshëm, durim të madh dhe një aftësi të çuditshme për të hyrë përsëri në një debat nga i cili sapo ke dalë i lodhur.
Vetëm mbaj edhe një kopsht të vogël pranë shtëpisë. Kur gazetaria të të lodhë, mbill domate.
Nëse dalin të kuqe, do të thonë se je socialist. Nëse mbeten jeshile, dikush do të zbulojë se po kalon me opozitën. Nëse vendos të mos mbjellësh fare, do të thonë se po pret të shohësh kush fiton zgjedhjet.
Prandaj mbilli.
Në fund të fundit, politikën dhe mendimin e lexuesit janë dy gjëra që nuk i kontrollon dot. Domatet kanë të paktën një avantazh: mund t’i bësh sallatë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull