Viti i kalit, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe 193 fjalime

6 Minuta Lexim

Nga Enver Robelli-

Kush i dëgjon 193 fjalime? Korrespondenti i një gazete gjermane në New York ia bëri vetes këtë pyetje dhe vendosi të ulej në një karrige të parehatshme prej plastike dhe të dëgjonte, të dëgjonte, të dëgjonte… Rezultati? Një fjalim historik i kryetarit të Mongolisë. Dhe një përgjigje në pyetjen se përse Republika Nauru tani quhet Naoero.

Edhe sivjet krerët e botës u mblodhën në New York, në selinë e OKB-së, ku u mbajt Asambleja e Përgjithshme vjetore. Atmosfera i ngjan pak Kapali Çarshisë së Stambollit, pak pazarit Khan al-Khalil në Kajro dhe më shumë një kampionati botëror të diplomacisë. Një javë, 193 fjalime nga të 193 shtetet anëtare. Shto këtu edhe fjalimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme, përfaqësueses së BE-së, Selisë së Shenjtë, si dhe Palestinës, e cila ka statusin e vendit vëzhgues.

Kush i dëgjon 193 fjalime? Korrespondenti i “Süddeutsche Zeitung” në New York ia bëri vetes këtë pyetje dhe vendosi të ulej në një karrige të parehatshme prej plastike dhe të dëgjonte, të dëgjonte, të dëgjonte… Rezultati i kësaj sfide është një reportazh mjaft interesant (i botuar të hënën). Kur flet Donald Trumpi, shumica e dëgjojnë, rrinë në sallë. Është burrë i rëndësishëm. Edhe kur flet kinezi është me rëndësi. Edhe ky është burrë me ndikim.

Për arsye të ditura është e rëndësishme se çfarë thotë kryetari i Ukrainës. Por e vërteta e hidhur është: shumica e presidentëve dhe kryeministrave flasin para karrigeve të zbrazëta. Nuk i ndodhi kjo vetëm kryeministrit të Shqipërisë. Në fjalimin e tij, presidenti i Finlandës Alexander Stubb citoi diplomatin veteran amerikan Strobe Talbott: “Multilateralizmi është një ferr i vërtetë dhe mund të të acarojë nervat. Nga ana tjetër, ky mbetet prapëseprapë opsioni më i mirë që kemi si njerëzim”. (Më 1999 Talbott ka qenë diplomati kryesor amerikan që negocioi me Rusinë mbi praninë e KFOR-it në Kosovë; rusët dëshironin një sektor më vete, nuk e morën).

Ka dëgjuar kush për Ukhnaagiin Khürelsükh? Ky është presidenti i Mongolisë. “Süddeutsche Zeitung” shkruan se në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Khürelsükh citoi nga një letër që sundimtari mongol Oljeitu i shkroi mbretit francez Filipit të Bukur në vitin 1305: “Me të vërtetë, nuk mund të ketë asgjë më të mirë se pajtimi e mirëkuptimi”.

Trashëgimtarët e Xhingis Hanit besonin se njerëz me kultura të ndryshme mund të bashkëjetonin paqësisht, në vend që t’i çanin kokën njëri-tjetrit pa pushim. Kjo përvojë e largët historike e shtyu presidentin mongol Khürelsükh të pyeste nëse kjo “Pax Mongolica” nuk do të ishte një model i mirë për një të tashme më paqësore, për një “Pax Globalica”. Presidenti Khürelsükh i merr punët me nge. Në odën e madhe të OKB-së ai shpalli “kandidaturën zyrtare” të Mongolisë për anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – për vitet 2048 dhe 2049. Kësaj i thonë planifikim afatgjatë.

Sipas korrespondentit të gazetës gjermane, presidenti mongolez tërhoqi vëmendjen edhe me një detaj tjetër. Ai lavdëroi rezolutën 79/291 të OKB-së, me anë të së cilës u shpall “Dita Botërore e Kalit”, për të vlerësuar – sipas Khürelsükhit – “kontributin e paçmueshëm të kuajve” në historinë e njerëzimit. Në korrik, kjo ditë botërore u kremtua për disa ditë me radhë në Ulan Bator, me një paradë prej rreth 10’000 kuajsh e kalorësish, si dhe me të ftuar nga 56 vende.

David Adeang kishte një hall tjetër: ai tha para Asamblesë së OKB-së se si president ka një kërkesë që vendi i tij të mos quhet më Nauru, por Naoero. Pse? Sepse bota e ka keqkuptuar shqiptimin. Mos harroni: Naoero, jo Nauru.

Dhe kështu shkon java, fjalim pas fjalimi. Sonte gjithçka merr fund. Deri në Asamblenë e ardhshme të OKB-së.

Për pak harruam. Edhe presidenti i Zvicrës Guy Parmelin foli në New York. Zvicra ka refuzuar të jetë anëtare e OKB-së deri në vitin 2002. Parmelin, me profesion prodhues vere, e nisi fjalimin me metafora alpine. Ia vlen të lexohet së paku fillimi:

“Të nderuara zonja dhe të nderuar zotërinj,

Zvicra është një vend malesh, luginash dhe larmie gjuhësore. Në vazhdën e historisë sonë, ne kemi mësuar ta kapërcejmë atë që na ndan.

Ne nuk i rrafshuam malet. Ne mësuam të ngjitemi në to. Dhe më vonë, t’i çajmë mespërmes.

Për këtë qëllim ndërtuam rrugë, ura dhe tunele. E kuptuam qartë se një kufi natyror nuk duhet të jetë medoemos një vijë ndarëse – ai mund të shndërrohet edhe në një vend takimi.

Kjo përvojë e thjeshtë më duket e zbatueshme edhe për botën tonë të sotme”.

Sikur të ishte aq lehtë… /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull