Nga Arben Isarai-
Kjo është një shprehje popullore që, nën petkun e humorit, mbart një reflektim të thellë mbi natyrën njerëzore. “Qumështi i dallëndyshes“ përfaqëson të pamundurën: atë që nuk ekziston, por që njeriu, në etjen e tij për më shumë, vazhdon ta kërkojë.
Në planin etik, kjo shprehje ngre një pyetje thelbësore: a është mungesa reale ajo që na shqetëson, apo pamundësia jonë për t’u kënaqur me atë që kemi? Shoqëria moderne ka prodhuar më shumë pasuri, dije dhe mundësi, por nuk ka arritur domosdoshmërisht të prodhojë më shumë kënaqësi, drejtësi apo kuptim.
Këtu qëndron paradoksi i njeriut: mund të zotërojë gjithnjë e më shumë dhe, megjithatë, të ndiejë se i mungon gjithnjë diçka. Sepse pasuria materiale nuk është domosdoshmërisht pasuri njerëzore. Të kesh nuk do të thotë automatikisht të jesh.
Prandaj, kjo urtësi popullore nuk na flet vetëm për atë që na mungon, por edhe për masën e dëshirave tona, përgjegjësinë ndaj asaj që kemi dhe aftësinë për të dalluar nevojën nga lakmia.
Ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është: “Çfarë tjetër na duhet?“, por: “A dimë të vlerësojmë atë që kemi?“
Sepse një shoqëri që kërkon gjithmonë edhe “qumësht dallëndysheje“ rrezikon të humbasë atë që ka më të çmuar: aftësinë për të kuptuar se kur pasuria kthehet në tepricë dhe dëshira në varësi.
Në fund, problemi nuk është se nuk kemi gjithçka. Problemi është se, duke kërkuar gjithçka, mund të humbasim edhe atë që vërtet ka vlerë.

