Nga Veton Suroi-
(Shtatë pika pas zgjedhjeve në Serbi)
1.
Lëvizja Studentore në Serbi, që fitoi zgjedhjet parlamentare dhe i hapi rrugën përfundimit të sundimit katërmbëdhjetëvjeçar të SNS-së dhe autokratit Aleksandar Vuçiq, është një lëvizje heterogjene që në perspektivë historike ka një analogji të largët me lëvizjet që rrëzuan komunizmin në Evropën Qendrore e Lindore pas rënies së Murit të Berlinit. Brenda kësaj lëvizjeje, si edhe në ato të viteve 1989–1990, ka dallime të mëdha ideologjike, por një ide të përbashkët: vendosjen e demokracisë parlamentare dhe sundimit të ligjit.
2.
Lëvizja Studentore (gjegjësisht Lista Studentore) është, kështu, një lëvizje e suksesshme revolucionare-elektorale e ndërtuar në formë kapilare, me mobilizim të gjerë dhe ende pa një kupolë të identifikuar me lider apo udhëheqësi. Kjo lëvizje arriti të mbajë për dy vjet një rezistencë të mosbindjes qytetare ndaj një regjimi që kishte kapur shtetin. Disiplina e kësaj lëvizjeje kapilare i ka rezistuar sulmeve nga regjimi dhe kritikave nga qytetaria demokratike. Natyra kapilare, heterogjeniteti dhe mungesa e një udhëheqjeje të identifikuar janë tashmë sfida për një lëvizje që ka fituar mandatin për të qeverisur.
Serbia me Listën Studentore hyn në tri tranzicione njëherësh: tranzicioni prej shtetit të kapur drejt shtetit demokratik, tranzicioni prej lëvizjes së rezistencës drejt pushtetit funksional dhe tranzicioni prej heterogjenitetit të rezistencës drejt strukturimit politik që duhet të artikulojë politikat e qeverisjes.
3.
Lista Studentore ka një barrë historike shtesë krahasuar me lëvizjet e viteve 1989–1990: trashëgiminë tragjike të postkomunizmit në Serbi. Fituesit e pushtetit të sotëm trashëgojnë mbi tri dekada të një Serbie toksike, të ushqyer nga ideja e supremacizmit serb, pasojat e luftërave të zhbërjes së ish-Jugosllavisë dhe ndërlidhja mes pushtetit, klerit nacionalist dhe krimit të organizuar. Studentët që i prinë kësaj lëvizjeje mbresëlënëse dyvjeçare janë rritur mes pasojave të luftërave dhe konflikteve politikisht të pambyllura në BeH e Kosovë, me fërkimet identitare me Malin e Zi; lëvizja e tyre ende nuk ka artikuluar një distancim kritik ndaj politikës serbe të shekujve XX dhe XXI.
4.
Serbia e ka provuar edhe më 2000 se rrëzimi i sundimtarit nuk nënkupton vetvetiu çmontimin e sistemit të sundimit.
5.
6.
Sfida e parë e pushtetit të ri në marrëdhëniet me Kosovën mund të jetë nxjerrja e Milan Radoiçiqit para drejtësisë, përfshirë dorëzimin e tij autoriteteve të Kosovës për sulmin në Banjskë. Radoiçiqi ishte udhëheqësi i grupit paraushtarak që ndërmori sulmin në Banjskë. Zbardhja e mbështetjes shtetërore për këtë operacion do të jetë pjesë e domosdoshme e çmontimit të sistemit të Vuçiqit.
Pushteti i ri në Serbi, në një afat të mesëm dhe nëse arrin të forcohet, do të gjendet para një mundësie historike në marrëdhëniet me Kosovën. Vuçiqi përgjatë sundimit të tij provoi një varg rrugësh për ta mbajtur të hapur kontestin me Kosovën. Në bashkëpunim me udhëheqësit e Kosovës, provoi mbajtjen e “strukturave paralele” si zgjatim të pushtetit të Serbisë, provoi ta shndërronte Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në bërthamën e një Republike Serbe brenda Kosovës, provoi ndarjen territoriale të Kosovës dhe në fund provoi sulmin paraushtarak.
Pushteti i ri ka para vetes shansin historik që, në një proces të pjekurisë e që i shërben interesave afatgjata të popullit serb, të vendosë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Republikën e Kosovës.
Viti Zero i Serbisë fillon me fitoren elektorale. Dalja prej tij do të matet me aftësinë për ta çmontuar shtetin e kapur dhe për të jetuar në paqe me fqinjët.

