Besnik Mustafaj mbi krizën e “autokracisë” në Shqipëri

10 Minuta Lexim

Intervistoi Denada Ndreca-

 

E megjithatë, në Evropë duket se po fryn një erë e “Pranverës së Popujve”. Një thirrje, një zgjim i identiteteve kombëtare, i aspiratave dhe i së drejtës për vetëvendosje. Por një gjë duket se nuk ka ndryshuar kurrë që nga ai revolucion i largët: heshtja dhe arroganca e saj ndaj vendeve më të vogla. Por le të kthehemi të flasim pikërisht për atë që po ndodh në Shqipëri që prej kësaj vere, përmes zërit të një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare dhe jo vetëm – Besnik Mustafajt.

-Arsyet që fshihen nën majën e ajsbergut në Shqipëri

“Prej disa javësh tashmë, nuk shohim më vetëm majën e ajsbergut. Tashmë shohim të gjithë ajsbergun. Kjo përkon me dinamikën e rritjes së protestës. Fillimisht, gati pesë muaj më parë, të rinjtë dolën në rrugë për t’u kundërvënë një projekti turistik në një zonë të mbrojtur në jug të Shqipërisë. Me atë rast, qeveria u kritikua edhe për mungesën e transparencës në lidhjen e kontratës, jo me një sipërmarrës dosido, por me vetë dhëndrin e presidentit Donald Trump.

Kryeministri Rama iu përgjigj shumë keq protestuesve, duke i shpërfillur dhe duke përdorur një gjuhë rrugaçërore, të mbushur me fyerje dhe qëndrime përçmuese ndaj të rinjve. Kjo e shtoi pakënaqësinë në të gjithë shoqërinë, deri në kërkesën për dorëheqjen e vetë kryeministrit. Megjithatë, protesta mbeti paqësore për më shumë se 130 ditë. Një dëshmi e jashtëzakonshme durimi nga ana e të rinjve dhe prindërve të tyre, të cilët kryeministri i ka përçmuar. Do të thosha se ishte pikërisht kryeministri, me sjelljen e tij arrogante dhe përdorimin e një policie jashtëzakonisht të dhunshme, ai që i shtyu të rinjtë drejt radikalizimit. Tani duket se nuk ka më mundësi kthimi pas. Protestuesit refuzojnë çdo dialog me kryeministrin, të cilin e akuzojnë për korrupsion të thellë dhe lidhje me krimin e organizuar. Ata kërkojnë dorëheqjen e tij, formimin e një qeverie teknike kalimtare, e cila të përgatisë zgjedhje të reja brenda një viti, jo më vonë, si dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Pra, ajsbergu i pakënaqësisë popullore tashmë ka dalë plotësisht mbi sipërfaqen e ujit.”

-Sa peshon qëndrimi pasiv i opozitës? Çfarë hapësire kanë forcat e reja politike që lindin mes dy poleve kryesore?

“Dobësia e opozitës është një fakt i pamohueshëm dhe, sigurisht, ajo luan një rol negativ në zhvillimet demokratike të vendit. Por është po aq e vërtetë se ne jetojmë nën një autokraci dhe asnjë autokraci nuk lejon rritjen e opozitës politike. Mjafton të shohim se çfarë ndodh prej dekadash në Rusi. Megjithatë, e konsideroj të nevojshme të saktësoj një gjë: gjatë këtyre katërmbëdhjetë viteve që Edi Rama është në pushtet, opozita ka organizuar protesta pa ndërprerje. Madje, shpesh me një pjesëmarrje popullore edhe më të madhe se ajo që shohim sot në protestat e të rinjve. Kanë qenë protesta me kërkesa të qarta politike dhe gjithmonë paqësore. Por qeveria, dhe veçanërisht kryeministri, nuk ka dashur t’i dëgjojë. Përkundrazi, ka mbajtur ndaj tyre një qëndrim përçmues, pikërisht ashtu siç po vepron tani me protestat e të rinjve. Dobësia e opozitës qëndron te programi alternativ që ajo propozon, një program që nuk ka arritur të bindë opinionin publik dhe që, në një kuptim më të gjerë, ka kontribuar në humbjen e besimit të të rinjve te klasa politike. Është e vështirë të thuhet se sa hapësirë kanë forcat e reja politike në këtë kontekst. Një gjë është e sigurt: dy kampet e mëdha politike nuk u rezervojnë atyre një pritje veçanërisht miqësore. Kjo është një dinamikë universale. Më duket pozitive që partitë e reja, edhe në Shqipëri, ashtu siç ndodh në demokracitë e vërteta, duhet të rriten dhe të forcohen përmes një beteje të ashpër politike. Vetëm duke e fituar këtë betejë ato mund të bëhen bartëse të shpresës. Është fakt se Partia Demokratike u ka bërë thirrje për bashkëpunim të gjitha partive që deklarohen në opozitë me pushtetin. Deri më tani, këto parti e kanë refuzuar një bashkëpunim të tillë. Koha do të tregojë se sa të drejtë kanë.”

-Sa hapësirë u jepet realisht të rinjve?

“Me sa mund të konstatoj, të rinjve u jepet një hapësirë e konsiderueshme si nga Partia Socialiste, ashtu edhe nga Partia Demokratike. Problemi i madh, sipas mendimit tim, është se këta të rinj, të cilët bëhen deputetë ose ministra pa mbushur ende tridhjetë vjeç, pra pa pasur asnjë përvojë, në vend që të sjellin një erë të re në politikë dhe në qeverisje, mësojnë shumë shpejt t’u përshtaten drejtuesve. Mendoj se problemi qëndron te kriteret që përdoren për përzgjedhjen e të rinjve që hyjnë në politikë dhe bëjnë karrierë. Shpesh, drejtuesit e partive zgjedhin individë, ambicia personale e të cilëve është më e madhe se parimet e tyre. Për rrjedhojë, një ego e tillë është e lehtë për t’u manipuluar. Në këtë mënyrë, u bëhet dëm vetë atyre, por i shkaktohet edhe një dëm i madh vendit. E gjithë kjo çon në humbjen e besimit dhe të shpresës te të rinjtë.”

-Gjuha dhe edukimi në komunikim: çfarë marrëdhënieje kanë me institucionet dhe me popullin?

“Nuk jam specialist i gjuhës së komunikimit, por, aq sa arrij të kuptoj, vërej shumë probleme që nuk burojnë domosdoshmërisht nga padija. Më i rëndësishmi ndër këto probleme lidhet me mesazhin që përcjellin politikanët. Shumë rrallë ky mesazh shpreh nevojat konkrete të vendit dhe të shoqërisë, veçanërisht në këtë fazë të negociatave për integrimin evropian. Gjuha e politikanëve, qofshin të majtë apo të djathtë, synon kryesisht të prekë emocionet e publikut. Për rrjedhojë, është një gjuhë e mbushur me urrejtje, e cila shkakton një polarizim të fortë të shoqërisë. Kjo urrejtje pasqyrohet më pas edhe në funksionimin e institucioneve shtetërore. Po sjell një shembull nga javët e fundit: policia ka ushtruar ndaj protestuesve një dhunë dhe brutalitet që nuk duket aspak se burojnë nga zbatimi i ligjit, por më tepër nga urrejtja që njerëzit me uniformë ushqejnë ndaj protestuesve. Ndërsa kryeministri, në vend që t’i qortojë dhe të kërkojë një hetim për dhunën joproporcionale të ushtruar nga policia, nxjerr një vendim për të shpërblyer secilin prej tyre me një shumë të barabartë me katër paga mujore. Më duket se një shembull i tillë është mjaftueshëm domethënës për të kuptuar gjuhën dhe edukimin në komunikim të qeveritarëve tanë.”

-Sa mund të ndikojë një letërsi e lirë, por mbi të gjitha cilësore, në hapjen e rrugëve të dialogut për të ardhmen?

“Si shkrimtar, do të dëshiroja shumë që letërsia, natyrisht ajo cilësore, të mund të kontribuonte në hapjen e rrugëve të dialogut brenda shoqërisë sonë. Por sot, për fat të keq, nuk ndodh kështu. Megjithatë, Shqipëria ka një përvojë shumë të pasur në këtë fushë, një përvojë që i ka rrënjët në histori, madje edhe përpara shpalljes së pavarësisë nga Perandoria Osmane. Etërit e pavarësisë ishin, në shumicën e tyre, poetë dhe shkrimtarë të shkëlqyer, të cilët e kuptuan mirë dhe në kohë rëndësinë e dialogut dhe të bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare, me qëllim garantimin e kohezionit të shoqërisë shqiptare. Pa këtë kohezion, kombi nuk do të kishte mundur të kishte një të ardhme brenda një shteti të pavarur. Po sjell edhe një shembull tjetër: në Parlamentin e parë pluralist, të dalë nga zgjedhjet pas rënies së komunizmit, në pranverën e vitit 1991, ne ishim rreth pesëmbëdhjetë shkrimtarë dhe poetë, të shpërndarë në të dy krahët politikë. Si njëri prej tyre, jam dëshmitar se kemi kontribuar që ajo periudhë tranzicioni, e mbushur me tensione, të shmangte gjuetinë e shtrigave dhe që historia të merrte trajtën e një lloj revolucioni të kadifenjtë. Ka shumë arsye përse letërsia e ka humbur sot aftësinë e saj për të ndikuar. Mendoj se nuk janë arsye tipikisht shqiptare. Janë arsye universale, të cilat kanë një burim të vetëm: shkrimtarët nuk janë më ndërgjegjja e shoqërive të vendeve të tyre. Për rrjedhojë, fjala e tyre e ka humbur peshën dhe aftësinë për të ndikuar.”

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull