Hashim Thaçi dënohet për “pengimin e drejtësisë” me 17 muaj burg
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur fajtor ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për disa vepra penale që lidhen me “pengimin e drejtësisë”. Gjykatësi Christopher Gosnell bëri të ditur se Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, si dënim i përbashkët për veprat për të cilat u shpall fajtor.
Sipas aktgjykimit, Thaçi u shpall fajtor “për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës”. Por Hashim Thaçi u lirua nga disa akuza të tjera të ngritura në aktakuzë.
Në të njëjtin rast, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim për pengim të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës. Por Smakaj dhe Fazliu do të lirohen menjëherë pas përfundimit të seancës, pasi që ata kanë qëndruar në paraburgim për një periudhë më të gjatë sesa dënimi i shqiptuar.
Ndërkohë, Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat ndaj tij dhe do të lirohet pas mbylljes së seancës.
Edhe Hajredin Kuçi u shpall i pafajshëm për një nga akuzat, ndërsa për një tjetër u dënua me një muaj burgim me kusht. Gjykata sqaroi se ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda një viti.
Prokuroria kishte kërkuar gjashtë vjet burg kundër Thaçit, ndërsa mbrojtja kërkon lirimin e plotë. Më parë Thaçi është dënuar si “pjesëtarë i ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, me 25 vjet heqje lirie. Në këtë proces janë dënuar edhe Jakup Krasniqi (25 vjet), Kadri Veseli (18 vjet) dhe Rexhep Selimi (13 vjet). Ankimimet për këtë proces janë në fazën e përgatitjes.
Mbrojtja njofton se do të ankohet edhe për këtë denim me 17 muaj

