Nga Arber Zaimi-
Para pak ditësh u mbajt në Shenzhen të Kinës samiti i prijësve të tre fuqive të mëdha, Amerikës, Rusisë e Kinës.
Ka patur kritikë të Trumpit që janë ankuar pse ky takohet me Putinin dhe Xinë, duke qenë se këta të dy mbështesin haptazi Iranin me të cilin Trumpi është duke luftuar.
Por politika nuk është thuajse asnjëherë e thjeshtë për t’u interpretuar.
Psh. Kina vetë, është mbështetësja kryesore e ekonomisë dhe industrisë ushtarake ruse. Pa këtë mbështetje Rusia do ta kishte edhe më të vështirë mbajtjen e gjendjes së luftës me Ukrainën, sidomos tani që ka humbur në masë të madhe tregjet europiane. Mirëpo ja që edhe Kina mike e Rusisë, ruan raporte diplomatike e ekonomike me Ukrainën, psh. importon grurin ukrainas.
Nuk janë pra “bardhë e zi” e as lehtësisht të kuptueshme planet, strategjitë, vizionet dhe fijet e interesave që lidhin vendet dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë.
Edhe në politikën e brendshme palët kundërshtare, që përfaqësojnë interesa kundërvënës e mbase do të kishin qejf ta shihnin njëri-tjetrin jashtë loje, megjithatë takohen, bisedojnë, bashkëpunojnë, shpesh në të njëjtën periudhë kur rivalizojnë njëri-tjetrin, kritikohen e përplasen ndërvedi. Meqë ne i mbajmë sytë nga Amerika, kohët e fundit psh. Mamdani socialdemokrat i New Yorkut s’ka patur komplekse të takohet e të bashkëpunojë me Trumpin anti-liberal e anti-socialdemokrat, po edhe presidenti nuk ka shfaqur komplekse për të takuar kryebashkiakun e ri.
Madje edhe senatori i ri El Sayed, edhe ky i majtë i zgjedhur me platformë jocentriste e antitrump, ka thënë së fundmi se planifikon të takohet me Trumpin ultradjathtist. El Sayedi ka propozuar që një sistem universal i sigurimeve shëndetësore të quhet “Trumpcare” nëse Trumpi e miraton, e me sa duket kjo i ka pëlqyer presidentit, i cili ka pohuar se do të takohet e do të llafosin me El Sayedin për këtë e të tjera punë. E natyrisht, nëse El Sayedi arrin të çojë përpara atë politikë që sipas tij i ndihmon dhjetëra miliona njerëzve të shtresës së ulët e të mesme të vogël, bravo i qoftë, paçka se si çmim do të paguajë edhe lavdërimin apo legjitimimin e kryekundërshtarit. Të dëshmohesh si idealist nënkupton edhe të jesh realizues e pragmatist, të punosh me ato që të jepen.
Mendimi polarizues i tipit “vijë e kuqe” mbase shërben për të krijuar një rehati morale, por jo shpesh është i mundur a i duhur në realitet, jashtë mendjeve të plogështa e rrjeteve sociale. E në këtë situatë dekulturimi të ndihmuar nga teknologjia, prej polarizimit, kudo ku ai po ndodh, nuk është se po përfitojnë forcat emancipuese. Ashtu siç është revolucionare ndonjëherë frenimi i trenit kur kupton se je në rrugë të gabuar (Walter Benjamin), është edhe emancipuese të ndihmosh depolarizimin shoqëror, sidomos kur polarizimi është ndërtuar dhe kontrollohet jo prej vetë atyre që e jetësojnë atë.

