Nga Arben Isaraj-
Suksesi i djeshëm nuk është garanci për suksesin e nesërm. Fitorja e kaluar nuk të jep të drejtën të vetëkënaqesh, as pushteti nuk të bën të pazëvendësueshëm.
Në politikë, “të flesh në dafina” do të thotë të jetosh me meritat e së kaluarës, duke harruar përgjegjësitë e së tashmes.
Pushteti mund të verbohet nga arroganca, ndërsa opozita mund të mashtrohet nga ideja se dështimet e qeverisë janë automatikisht fitoret e saj.
Por qytetarët nuk gjykojnë vetëm atë që ke bërë dje, por edhe atë që bën sot dhe atë që ofron për nesër.
Një fitore elektorale nuk është çek i bardhë. Një mandat nuk është privilegj, por përgjegjësi. Dhe një humbje nuk është fundi, por mundësi për reflektim e ndryshim.
Kjo vlen për politikën, por edhe për çdo individ e shoqëri. Sepse demokracia nuk mbahet gjallë me lavdinë e së kaluarës, por me vigjilencën, punën dhe përgjegjësinë e përditshme.
Mos e ngatërro suksesin me pagabueshmërinë, pushtetin me meritën dhe duartrokitjet me besimin e përhershëm.
Dafinat të kujtojnë atë që ke arritur, por nuk të garantojnë atë që do të arrish.
Nuk mjafton të kesh fituar dje. Duhet të dëshmosh çdo ditë se e meriton besimin edhe sot!

