Gazetari Aleksandër Çipa komentoi në emisionin “Review” në Euronews Albania simbolikën e protestës që pritet të mbahet nesër, më 28 nëntor, duke u ndalur te slogani “Nëntori i tretë”, në një referencë simbolike ndaj Ditës së Pavarësisë.
Çipa e cilësoi këtë koncept si një utopi dhe iluzion, duke bërë dallimin mes dy nëntorëve të parë, të cilët i konsideroi ngjarje historike të dëshmuara, dhe pretendimit për një “Nëntor të tretë”.
“Nëntori i parë dhe i dytë janë ndodhi historike të dëshmuara. Nëntori i tretë është një utopi, një iluzion dhe revolucionet e premtuara rezultojnë në moszhgënjim, mashtrim. Ata që e kanë pretenduar këtë stilemë ‘Nëntori i tretë’, askush nuk e ka marrë autorësinë”, u shpreh gazetari.
Sipas tij, përdorimi i kësaj simbolike përfaqëson një pretendim të madh politik dhe se personat që e kanë artikuluar duhet të bëjnë të qarta objektivat e tyre përpara qytetarëve.
“Është një pretendim shumë i madh. Nëntori i parë dhe i dytë janë data themeltare në historinë e kombit, ndaj nëse ndonjë nga tribunët e paautorizuar të kësaj lëvizjeje e ka marrë përsipër, duhet të dalë dhe t’u thotë shqiptarëve çfarë do të realizojë si objektiv dhe çfarë do të ndryshojë në skenën politike”, deklaroi Çipa.

