Nga Dashnor Kokonozi-
(Kanali televiziv rus RT ka sjellë në jetë F. Dostojevskin për të komentuar luftën në Ukrainë dhe politikën e Putinit.)
Hologrami i F. Dostojevskit mund të ndiqet çdo javë në RT, një nga kanalet zyrtare të Moskës. Shkrimtari është shndërruar në një analist të përhershëm që reagon ndaj zhvillimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Me këtë rast, propaganda ruse po arrin nivele të reja inovacioni. Pasi gazetarët e gjallë nuk mjaftojnë më, tani po mobilizohen edhe të vdekurit.
Problemi është se autori i “Krim dhe ndëshkim” ka vdekur më 1881, pra 145 vjet më parë, gjë që vë në siklet shumë shikues tek shohin shkrimtarin e tyre të adhuruar të shfaqet si një tifoz i zjarrtë i Putinit.
Megjithatë, zgjedhja e Dostojevskit nuk është krejt rastësore. Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis romancierit të madh dhe publicistit politik. Ky i fundit njihej për nacionalizmin e tij të zjarrtë dhe për idenë e një misioni të veçantë historik të Rusisë ndaj popujve të tjerë. (Gjë që edhe ndodhi dhe ishte një nga katastrofat e mëdha të njerzimit).
Si publicist, Dostojevski ka lënë edhe faqe të ngarkuara me paragjykime ksenofobe dhe antisemite, veçanërisht në “Ditarin e një shkrimtari”, ku përsërit stereotipe të zakonshme të kohës për hebrenjtë.
Prandaj nuk është e vështirë të kuptohet pse propaganda e Kremlinit e ka zgjedhur pikërisht atë për ta ringjallur.
Ndoshta hapi i ardhshëm do të jetë një konferencë shtypi me Tolstoin, Pushkinin dhe Çehovin.
Kur argumentet nuk mjaftojnë më, propaganda fillon të kërkojë mbështetje edhe në varreza.

