RTSH nis censurimin e filmave: KUSH DHE PËRSE E BLLOKOI FILMIN “PLUMBA PERANDORIT”? PROTESTË PUBLIKE DHE KËRKESË PËR TRANSPARENCË

4 Minuta Lexim

Nga Mevlan Shanaj-

KUSH DHE PËRSE E BLLOKOI FILMIN “PLUMBA PERANDORIT”?
PROTESTË PUBLIKE DHE KËRKESË PËR TRANSPARENCË
Drejtuar:
• YouTube – strukturës përgjegjëse për shqyrtimin e bllokimeve.
• Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH Publik.
Për dijeni dhe shqyrtim:
• Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH).
Filmi “Plumba perandorit”, prodhim i Radio Televizionit Shqiptar i vitit 1981, të cilin e kam publikuar prej rreth dhjetë vjetësh në kanalin tim personal në YouTube, rezulton tashmë i bllokuar. Në ekran shfaqet vetëm fjala “BLOCKED”, pa asnjë shpjegim, pa njoftim paraprak dhe pa identifikimin e subjektit që ka kërkuar këtë veprim.
Një veprim i tillë ngre pikëpyetje serioze dhe kërkon një përgjigje institucionale.Jam i befasuar nga veprimi i youtube si ndermerr veprime të kësaj natyre me një thjeshtësi dhunuese ndaj autorit???!!
Dua të rikujtoj disa fakte.
Filmi është realizuar në vitin 1980,në një kohë kur prodhimi kinematografik dhe televiziv ishte tërësisht shtetëror. Ne, krijuesit e tij, ishim punonjës të shtetit dhe nuk kishim kontrata individuale prodhimi, sepse një marrëdhënie e tillë nuk ekzistonte në sistemin e atëhershëm.
Por e drejta e autorësisë krijuese ka ekzistuar edhe atëherë.
Unë, Mevlan Shanaj, jam regjisori i filmit. Natasha Lako dhe Bashkim Hoxha janë autorët e skenarit. Këto janë fakte të historisë krijuese të veprës dhe nuk mund të fshihen apo të anashkalohen nga asnjë vendim administrativ.
Nuk vë në diskutim faktin se RTSH ishte institucioni prodhues i filmit. Por duhet bërë dallimi ndërmjet të drejtave të institucionit si prodhues dhe autorësisë krijuese të atyre që e realizuan veprën.
Ajo që kërkoj të di është e thjeshtë:
1. Kush e ka kërkuar bllokimin e filmit?
2. Mbi çfarë baze ligjore apo kontraktore është ndërmarrë ky veprim?
3. Pse nuk është dhënë asnjë njoftim apo shpjegim?
4. A është ky një vendim i RTSH-së apo i një subjekti tjetër?
Nëse kërkesa është bërë nga RTSH Publik, pres një përgjigje zyrtare dhe transparencë të plotë mbi arsyet e këtij vendimi.
I drejtohem gjithashtu Këshillit Drejtues të RTSH-së, duke kërkuar vëmendjen dhe shqyrtimin e tij për këtë çështje, në përputhje me përgjegjësinë mbikëqyrëse që ka ndaj institucionit publik.
Një institucion publik ka përgjegjësinë të ruajë dhe të administrojë trashëgiminë audiovizuale, jo të krijojë paqartësi rreth saj.
Një film nuk është vetëm materiali që e përmban atë. Është edhe krijimtaria, identiteti dhe historia e njerëzve që e kanë bërë të mundur.
Nuk po kërkoj privilegj. Kërkoj transparencë, respekt për autorësinë dhe përgjigje për një veprim që deri tani mbetet pa shpjegim.
Kjo nuk është vetëm çështja e një filmi në YouTube. Është çështje e respektit ndaj krijuesve dhe kujtesës sonë kulturore.
Mevlan Shanaj
Regjisor i filmit “Plumba perandorit”
Ps kë tu keni shënimin nga youtube që më paska bllokuar dy filma që i kam pasur free në kamalin tim.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull