Nga Enver Robelli-
Presidenti ukrainas, Vollodimir Selenski, ka zbuluar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vënë Kievit në tavolinë një ofertë të re: anëtarësimin e Ukrainës në NATO, në këmbim të tërheqjes së forcave ukrainase nga rajoni i Donbasit.
Sipas burimeve – të cilave u referohen mediat qendrore gjermane – ky propozim i bujshëm është bërë për herë të parë nga negociatorët amerikanë menjëherë pas raundit të fundit të bisedimeve të paqes me Rusinë, të zhvilluara në Abu Dhabi.
“Amerikanët ngritën një pyetje të drejtpërdrejtë: ‘Çfarë do të ndodhte nëse Ukraina anëtarësohet në NATO? A do të tërhiqej Ukraina nga Donbasi?’ Kjo ishte hera e parë që një pyetje e tillë shtrohej zyrtarisht,” zbuloi Selenski para gazetarëve.
Ndonëse deri më tani Kievi e ka refuzuar me vendosmëri çdo kompromis territorial, duket se oferta amerikane ka hapur një dritare të re diskutimi. Selenski ripohoi se nuk është i gatshëm të falë territore, por pranoi se nëse Ukraina merr një paketë gjithëpërfshirëse sigurie – e cila përfshin garanci të hekurta sigurie, një ushtri të financuar mirë dhe fonde masive për rindërtimin e vendit – ai është i gatshëm ta hedhë këtë çështje në referendum popullor.
“Unë nuk kam të drejtën morale dhe ligjore ta marr këtë vendim i vetëm”, u shpreh presidenti ukrainas, duke ia lënë fjalën e fundit qytetarëve të tij, pasi vendi aktualisht nuk gëzon garanci afatgjata sigurie pikërisht sepse mbetet jashtë Aleancës Veri-Atlantike.

