Nga Bahri Cani-
Pas disa orësh ndërprerjeje, trafiku ajror në Amerikë është rikthyer gjatë natës së kaluar gradualisht në normalitet. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) hoqi ndalesën e përkohshme të nisjes së avionëve, që kishte lënë dhjetëra mijëra pasagjerë të bllokuar në aeroporte.
Sipas Sekretarit amerikan të Transportit, Sean Duffy, shkak i ndalimit të nisjes së avionëve në mbarë Amerikën ishte “mbingarkesa e sistemit të vjetëruar të komunikimit dhe kontrollit të trafikut ajror”, ku u gjeneruan të dhëna të pasakta, ndaj u pezulluan të gjitha nisjet në mbarë vendin.
Autoritetet amerikane përjashtuan mundësinë e një sulmi kibernetik, duke theksuar se problemi ishte thjesht teknik.
Por nëse jeni në Amerikë dhe duhet të fluturoni, nuk do të ishte keq të pytni paraprakisht se a është gjithçka në rregull me fluturimet e planifikuara.
Kjo ishte hera e dytë që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 që trafiku ajror në të gjithë SHBA-në u ndal në nivel kombëtar.
Ndërsa një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe në janar të vitit 2023, kur një defekt teknik në sistemin e njoftimeve për pilotët shkaktoi kaos në aviacionin amerikan.

