Muaji i trashëgimisë, MHK: Dea një nga kryeveprat e artit antik në Shqipëri

2 Minuta Lexim

Shtatori është muaji i trashëgimisë kulturore. Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të këtij muaji, ka publikuar në faqen e tij një nga kryeveprat e artit antik në Shqipëri. MHK shprehet se Dea është e ekspozuar që nga 1981 në këtë institucion. “Koka e Apollonit ose e njohur si Dea, një nga kryeveprat e artit antik në Shqipëri gjendet e ekspozuar, që nga viti 1981 në Muzeun Historik Kombëtar. Mermer, lartësia 50 cm, Butrint, gjysma e parë e shekullit IV p. Kr.”, shkruan muzeu që ka publikuar dhe foton e Deas. Muzeu Historik Kombëtar, i ndodhur në zemër të Tiranës, fton vizitorët, vendas apo të huaj, që kërkojnë të njohin më shumë nga historia e Shqipërisë, që të mos ngurojnë t’i drejtohen dyerve të tij. Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. I ndërtuar në pjesën perëndimore të sheshit “Skënderbej”, godina e MHK është një nga veprat e rëndësishme arkitektonike me rol të veçantë në formimin urbanistik të kryeqytetit shqiptar. MHK ka disa pavione.

Në pavionin e lashtësisë që është ndër më të pasurit në MHK, janë ekspozuar edhe objekte që i përkasin periudhës së mesjetës së hershme. Objektet e paraqitura në vitrinat e tjera i përkasin periudhës së bronzit dhe asaj të hekurit. Objekte të tjera me interes janë mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” (shek. IV para Kr.), pamja antropomorfe e lumit Vjosa (shek. III-II para Kr.), koka e Artemisës (shek. III para Kr.), portreti i një burri në gur gëlqeror (shek. V pas Kr.) dhe objektet e varrit monumental të Selcës së Poshtme, Pogradec (shek. III para Kr.). Muzeu Historik Kombëtar me aktivitetin e tij synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull