Li Getler është shumë i vështirë të kapet në telefon, për arsyen shumë të zakonshme se ai është i zënë duke u kujdesur për dy fëmijët e tij të vegjël. Por midis gjitarëve, kjo e bën atë të jashtëzakonshëm. “Etërit njerëzorë përfshihen në forma vërtet të pazakonta kujdesi” – thotë Gettler, antropolog në Universitetin Notrë Dam.
Në këtë aspekt, njerëzit dallohen nga thuajse të gjithë gjitarët e tjerë. Etërit, dhe prindërit në përgjithësi, janë fusha e studimit e Getler. Ai dhe studiues të tjerë, kanë zbuluar se roli i baballarëve ndryshon shumë midis kulturave. Disa baballarë të tjerë tek kafshët, mund të na ofrojnë një vështrim të dobishëm të së kaluarës sonë evolucionare.
Megjithatë, mbeten ende shumë mistere se si baballarët njerëzorë evoluan rolin e tyre të veçantë. “Nëse shihni specie të tjera të gjitarëve, baballarët nuk priren të bëjnë asgjë tjetër përveçse të sigurojnë spermën”-thotë Rebeka Shir, demografe evolucionar dhe antropologe në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër.
Nënat mbajnë barrën kryesore, dhe tek shumica e kafshëve të tjera, janë vetëm ato që kujdesen për fëmijët e tyre. Peshqit përbëjnë një përjashtim. Shumica nuk kujdesen fare për të vegjlit e tyre, por prindërit më të kujdesshëm janë zakonisht baballarë. Edhe çiftet e shpendëve janë të famshëm për bashkë-prindërimin e tyre.
Edhe midis majmunëve të tjerë, të afërmit tanë më të afërt, shumica e baballarëve nuk bëjnë shumë për pasardhësit e tyre. Kjo do të thotë që nënave u bie e gjithë barra e përgjegjësisë. Ndërkohë paraardhësit e njerëzve, u angazhuan për një strategji tjetër. Nënat morën ndihmë nga komuniteti i tyre dhe të afërmit e tyre, përfshirë baballarët. Kjo u dha atyre mundësi për të pasur më shumë fëmijë çdo 3 vjet, në shoqëritë e sotme jo industriale.
Getler thotë se kjo strategji “është pjesë e historisë së suksesit evolucionar të njerëzve”. Disa të dhëna për historinë evolucionare të atësisë, janë të shkruara në molekulat e trupave të burrave. Antropologu Getler kreu një studim afatgjatë mbi burrat në Filipine, duke mbledhur të dhëna biologjike që në fillim të të 20-ave të tyre, dhe duke i ndjekur 5 vjet më vonë.
Ai dhe kolegët e tij zbuluan se burrat me nivele të larta të testosteronit në fillim të të 20-ave, kishin më shumë të ngjarë të kishin partnerë dhe fëmijë më vonë. Por baballarët e rinj nuk kishin më nivele të larta të testosteronit. Ai kishte rënë ndjeshëm, sidomos nëse ata kishin një të porsalindur në shtëpi.
Testosteroni është i lidhur me çiftimin dhe sjelljen konkurruese tek kafshët meshkuj. Studiuesit thonë se supresimi, pra rënia e nivelet e testosteronit, mund të jetë mënyra që ka zgjedhur natyra për t’i përgatitur baballarët të bashkëpunojnë me partneret e tyre për t’u kujdesur për fëmijët.
Edhe pse baballarët e kujdesshëm janë të rrallë midis gjitarëve dhe shumicës së kafshëve të tjera, shumë prej tyre mund të gjenden në mesin e zogjve. Dhe këta të fundit përjetojnë rënie të niveleve të testosteronit, duke lënë të kuptohet për një efekt të ngjashëm si tek njerëzit.
Pra evolucioni mund të ketë përdorur të njëjtët mekanizma për të inkurajuar sjelljen atërore tek të dyja kafshët speciet. Stejsi Rozenbaum, antropologe biologjike në Universitetin e Miçiganit, studion gorillat e egra malore në Ruanda. Këto të fundit ofrojnë sugjerime intriguese mbi origjinën e baballarëve majmunë, siç argumentojnë Getler dhe bashkë-autorët e studimit Rozenbaum dhe Adam Bojet në “Annual Review of Anthropology” të vitit të kaluar.
Gorillat malore janë një lloj i gorillave lindore, që ndryshojë nga gorillat perëndimore – një specie e veçantë e parë më shpesh më në kopshtet zoologjike – sa i përket habitatit dhe dietës së tyre. Rozenbaum interesohet më shumë për një tipar që i dallon këto gorilla:”Fëmijët kalojnë goxha kohë rreth meshkujve”- thotë ajo.
Këta meshkuj mund të jenë ose jo baballarët e tyre. Gorillat meshkuj, duket se nuk e dinë ose nuk interesohen se cilët të vegjël janë të tyret. Por gati të gjithë meshkujt e tolerojnë shoqërinë e fëmijëve. Disa i marrin në krah të fëmijët, luajnë me ta, dhe madje flenë të përqafuar së bashku.
Por gorillat meshkujt nuk janë primatët e vetëm që rrinë me të vegjlit. Edhe makakët meshkuj kalojnë kohë me më të rinjtë. Dhe meshkujt babuinë krijojnë “miqësi” me femrat dhe të vegjlit e tyre, që shpesh (por jo gjithmonë) janë pasardhësit e tyre.
Dikur antropologë supozonin se sjellja atërore mund të evoluonte vetëm tek kafshët monogame. Por lloje speciesh si gorillat malore e hedhin poshtë këtë supozim. Ata gjithashtu tregojnë se përkundër asaj që kanë menduar shkencëtarët prej kohësh, kafshët meshkuj nuk kanë pse të zgjedhin midis shpenzimit të energjisë së tyre për çiftëzim apo prindërim.
Edhe studimet mbi baballarët njerëzorë kanë lënë të kuptohet të njëjtën ide. “Shumë djem do të hyjnë me dëshirë në marrëdhënie me fëmijë, që e dinë se nuk janë të tyret”-thotë Kermit Anderson, antropolog biologjik në Universitetin e Oklahomës. Nga një perspektivë evolucionare, ky investim mund të duket paradoksal.
Por studimi i Anderson, sugjeron që burrat investojnë tek fëmijët pjesërisht si një investim në marrëdhëniet e tyre me nënën. Kur përfundon kjo marrëdhënie, baballarët priren të përfshihen më pak.
Natyrisht, një baba njerëzor që kujdeset për fëmijët e tij ose fëmijët e partneres është i ndryshëm nga një majmun që vetëm i lejon fëmijët të rrinë përreth tij. Pra është e qartë se baballarët njerëzorë janë të pazakontë në vëmendjen e tyre ndaj fëmijëve të tyre.
“Por është gjithashtu e qartë se atësia tek njerëzit është mjaft e ndryshueshme. Jo të gjithë baballarët janë të interesuar apo edhe të pranishëm”-thotë Shir. Por nga ana tjetër kjo gjë nuk ndikon domosdoshmërisht në mbijetesën e fëmijëve.
Marrë me shkurtime nga “Knowable Magazine” – Bota.al