Policia e Durrësit ka goditur 2 raste të mashtrimit dhe falsifikimit të tamponëve ndaj qytetarëve, të cilët udhëtonin drejtë vendeve të BE-së, ku 1 rast kryhej në bashkëpunim midis agjensisë së udhëtimit dhe laboratorit për kryerjen e testve, dhe 1 rast falsifikimi dhe mashtrimi kryhej nga vetë agjensia e udhëtimit.
Në pranga kanë rënë një 65-vjeçare dhe dy 24-vjeçare, si dhe dy djem 25 dhe 23 vjeç. Policia njofton se është proceduar një 40-vjeçare, si dhe shpallur në kërkim një 52-vjeçar.
Në operacionin e parë, policia arrestoi shtetasen Violeta Begeja, 65 vjeçe, banuese në Durrës, për veprën penale “Mashtrimi”, e punësuar pranë një agjensie udhëtimi në lagjen nr.4., Durrës;
Albiona Cuka, 24 vjeçe, për veprën penale “Mashtrimi”; Blerim Maloku, 25 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, Asllan Diva, 23 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, të 3 banues në Durrës dhe të punësuar pranë një laboratori në lagjen nr.4, Durrës.
U shpall në kërkim policor për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, shtetasi Lutfi Lami, 52 vjeç, administrator i laboratorit.
“Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qenë të punësuar pranë agjensisë turistike dhe laboratorit, me anë të falsifikimit dhe mashtrimit, paisnin qytetarët të cilët do udhëtonin drejtë vendeve të BE-së, me testime “Antigen Rapid”, kundrejt përfitimit.
Në operacionin e dytë, u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, shtetësja Artiola Budani, 24 vjeçe, si dhe u procedua penalisht për të njëjtat vepra penale shtetësja Ornela Sallaku, 40 vjeçe, të 2 banuese në Durrës, të punësuara pranë një tjetër agjensie udhëtimi në lagjen nr.4, Durrës.
“Këto shtetase në bashkëpunim me njëra-tjerën, duke qënë të punësuara pranë një agjensie udhëtimesh, me anë të falsifikimit dhe mashtrimit, paisnin qytetarët të cilët do udhëtonin drejtë vendeve të BE-së, me teste “Antigen Rapid”, kundrejt përfitimit”, tha policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.