Vijon evakuimi, talebanët lejojnë 4 amerikanë të dalin nga Afganistani

2 Minuta Lexim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vijuar operacionin për nxjerrjen e amerikanëve nga Afganistani. Zyrtarët e Departamentit të Shtetit njoftuan se kanë larguar katër qytetarë të tjerë përmes një rruge tokësore me lejen e talebanëve. Edhe pse grupi militant ka bllokuar fluturimet ajrore që transportojnë personat, që duan të largohen nga vendi, ata nuk penguan kalimin e katër amerikanëve, ndërsa ishin në dijeni të nisjes së tyre.

Edhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, premtoi se nuk do të braktisë aleatët e tyre që kanë mbetur në Kabul.

 

“Britania e Madhe do të beje gjithçka të mundshme për të ndihmuar afganët që punuan për forcat britanike, të dalin të sigurt. Do të ushtrojmë  presion ekonomik dhe diplomatik  mbi  personat që përballen me një rrezik të lartë nga talebanët, siç janë ata që punojnë për të përmirësuar të drejtat e njeriut, ose për shkak të gjinisë, ose seksualitetit, ose fesë së tyre të largohen nga vendi.”

 

Talebanët kanë premtuar se do t’u lejojnë kalim të sigurt afganëve dhe të tjerëve që duan të largohen nga vendi.

 

Ndërkohë gratë afgane dolën sërish në rrugë për të kërkuar të drejta të barabarta nën sundimin e talebanëve.

 

Ata u mblodhën në qendër të qytetit Mazar-e Sharif, duke mbajtur pankarta që shkruanin “Shkelja e të drejtave të grave-shkelje e të drejtave të njeriut” dhe “Duam pjesëmarrje në të gjitha nivelet politike”.Dëshmitarët thanë se talebanët fyen dhe kërcënuan pjesëmarrëset e protestës.

 

Talebanët kanë shpallur fitoren mbi provincën Panjshir në verilindje të kryeqytetit Kabul. Grupi militant publikoi një video ku shfaqen duke ngritur flamurin e tyre.

 

Luftëtarët e rezistencës megjithatë thanë se ata ishin ende të pranishëm në të gjitha pozicionet strategjike dhe vazhdojnë të luftojnë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull