Tragjedia e Gërdecit/ SPAK kërkon rinisjen e gjykimit për Fatmir Mediun

2 Minuta Lexim

Tragjedia e Gërdecit është rikthyer sërish në vëmendjen e publikut, pasi SPAK kërkoi rinisjen e gjykimit për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Mësohet se Saida Dollani është gjyqtarja që do të shqyrtojë çështjen për Fatmir Mediun në Apelin e Posaçëm.

Seanca gjyqësore do të zhvillohet më 17 shtator ora 10:00

SPAK kërkon revokimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe rinisjen e gjykimit për ish-ministrin e Mbrojtjes për akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.

Kujtojmë që Mediu në vitin 2009 u mor i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe dosja në ngarkim të tij, shkoi për shqyrtim gjyqësor në Gjykatën e Lartë për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, sipas Kodit Penal Ushtarak.

Por një kolegj i kësaj gjykate në datën 14 shtator 2009, ka vendosur të pushojë ndjekjen penale për Mediun, me argumentin se ai kishte imunitet dhe se prokuroria, gjatë hetimeve të kryera, kishte kryer veprime pa marrë miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë.

Feruzan dhe Zamira Durdaj, dy prindërit e Edison Durdaj, 7-vjeçarit të vrarë në 15 mars 2008 nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, kanë kërkuar marrjen të pandehur të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe rihapjen e gjykimit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull