Vetëm të shikosh karakatinën prej llamarine të gjoja “spitalit -Covid të Tetovës”, dallon menjëherë se kemi të bëjmë me një përsëritje tipike Gërdeci.
Kështu e nis raportimin më të fundit “Pamfleti” lidhur me ngjarjen e rendë që ndodhi dje në Tetovë, ku katërmbëdhjetë qytetarë humbën jetë, si pasojë e këtij krimi të ngjashëm me Gërdecin shqiptar. Në vijim “Pamfleti” vlerëson:
“Pas tragjedisë ku gjetën vdekjen 14 qytetarë, dhe shifrat janë ende të përkohshme, shihet qartë se kemi të bëjmë me një krim që në fillim.
Në mes të qytetit u ndërtua një kioskë, që u konsiderua paturpësisht si një “qendër anti-covid”. Një barake llamarine ku natyrisht do të kishte qarkullim oksigjeni dhe substanca të tjera kimike që janë krejtësisht dhe lehtësisht të ekspozuara ndaj çdo agjenti atmosferik, apo edhe mekaniko-elektrik.
E tragjedia që ndodhi mbrëmë ishte thjesht e paralajmëruar që kur u ndërtua kioska-klinikë.
Në të tilla barake, mund të zhvillohen thjesht takime e vizita mjeksore, por jo trajtime të ndërlikuara me agjentë kimikë të lidhur me luftën ndaj Covidit.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndërtuar 17 barake të tilla, thuajse në të gjitha qendrat e banuara me Shqiptarë. Me të drejtë artistja e njohur Fitnete Tuda, nga Struga, denoncon këtë zhvillim si një akt diskriminues e rracist.
Janë përdorur 3.6 milionë euro nga Banka Botërore, dhe të tenderuar në favor të ish-zv.kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, njeriut të afërt të Zaevit, Koço Angjushev nga Velesi.
Një qendër anti-Covid, duhet të jetë e përgatitur çdo moment për një rast rreziku zjarri, pikërisht prej sasisë së madhe të oksigjenit që është në ajër, si pasojë e marrjes së O2 nga ana e pacientëve në trajtim të thjeshtë, por edhe intensiv. Maska e oksigjenit hiqet e vihet nga pacienti vazhdimisht dhe oksigjeni lëviz në ajër me sasi të konsiderueshme.
E kështu, duke pasur parasysh se të gjitha pajisjet punojnë me energji elektrike, ku ngarkesa është e lartë, çdo masë apo rritje temperature, gjen tek oksigjeni në gjendje të lirë lejtësinë për t’u djegur. E kështu ka ndodhur në Tetovë. Në fundin e gushtit, madje ishte vërejtur një dëmtim i tubave të oksigjenit, çka do të mundësonte një dalje të tij edhe jashtë, ku shkëndijat e nxehtësia janë lehtësisht të arritshme qoftë nga automjetet, qoftë nga nxehja e ventilatorëve të ajrimit dhe klimatizatorëve.
Me një fjalë nuk është zbatuar asnjë kusht teknik që nga ndërtimi e deri më sot. E hetimi duhet nisur pikërisht këtu. Spitali Covid i Tetovës ishte njësoj si punishtja e demontimeve në Gërdec, u ndërtua edhe pse dihej se mund të shpërthente. Krimi nis pikërisht tek ndërtimi. Në Gërdec u vranë nga shpërthimi 26 qytetarë dhe u plagosën 30 të tjerë. Në Tetovë deri tani raportohen 14 të vdekur…“.