Kjo është 23-vjeçarja, Sabrina Bengaj që mbeti e vrarë mbrëmjen e djeshme vonë nga duart e ish-bashkëshortit të saj, Elton Meta.
Ajo u ekzekutua në banesën e prindërve të saj, duke lënë pas një vajzë të mitur.
Ndërkohë, pas 3 orë ndjekjesh në kushte të vështira për shkak të errësirës dhe rrezikshmërisë që kishte ky person pasi ishte i armatosur, u kap nga Policia në një zonë të pyllëzuar në fshatin Peshtan autori bashkë me armën e krimit.
“Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zhupan, në banesën e ish-vjehrrit, shtetasi Elton Metaj ka vrarë me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij, shtetasen Sabrina Benga, menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe organizuan punën për kapjen e autorit i cili ishte larguar nga vendngjarja me një motomjet.
Pas 3 orësh ndjekje, nga strukturat e DVP Fier, Forca Operacionale, Forca e Posacme “Shqiponja”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim dhe me 2 grupe të FNSH Fier, falë veprimeve të shpejta, të mirëorganizuara dhe profesionale, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e autorit në një zonë të pyllëzuar të fshatit Peshtan, bashkë me armën e krimit automatik dhe motomjetin me të cilin u largua nga vendngjarja të cilat u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” shtetasin Elton Metaj, 31 vjeç, banues në Peshtan (i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje”)”, njofton policia.
Vëllai i viktimës: E vrau duke ngrënë bukë
Vëllai i viktimës, Armando Bengaj thotë Eltoni kishte kërcënuar edhe vetë atë për ta vrarë, ndërsa gishtin e fajit ia drejton gjykatësve dhe prokurorëve që nxorën nga burgu njerëz të tillë.
“Mamaja kishte dëgjuar derën. Në 20 korrik u lirua nga burgu. Fajin e kanë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që nxjerrin të tillë njerëz kriminelë që sot bëri hatanë e madhe. Mua me tha nusja për ngjarjen. Madje me kishte kërkuar dhe mua për të vrarë.
Ai ishte një frikacak që të vriste pas krahëve, trimi del përballë. Ishte mamaja në momentin e ngjarjes. Motrën e vrau kur po hante bukë, sa u kthye nga puna. Motra ndërroi jetë në vend, plumbi e kishte kapur në mushkëri”- ka deklaruar vëllai i viktimës.