Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është detyrim ligjor dhe procedurë në seancën e parë të legjislaturës. Kryetari i Kuvendit është institucion me rëndësi në sistemin tonë parlamentar, kryesisht për shkak të rolit që luan në moderimin dhe sidomos përfaqësimin publik të parlamentit.
Ndryshe nga modeli britanik i “speaker”, ku një politikan moderator drejton disa legjislatura të ndryshme, apo modelit gjerman të drejtuesit të Bundestag, ku kryetari ka edhe kompetenca direkte drejtimi & disiplinore, në rastin shqiptar kompetencat e kryetarit të parlamentit janë procedurale dhe protokollare, por sipas raporteve monitoruese të Institutit të Studimeve Politike disa “të drejta”, si ajo e caktimit të delegacioneve, vizitat zyrtare, preferenca në axhendën parlamentare, drejtimi real i administratës apo pjesëmarrja në ceremoni dhe aktivitete politike, i kanë dhënë atij më shumë pushtet praktik sesa kompetencat ligjore, – një devijim nga praktikat e mira demokratike dhe tregues i brishtësisë së institucioneve tona.
Gjatë fazës së parë të tranzicionit parlamenti kishte kryesi dhe drejtuesit ishin të vendosur së bashku në podiumin e Kuvendit. Më 1991 u aplikua praktika, sipas të cilës, një zv/kryetar i përket partisë kryesore të opozitës. Kryesia e parë e parlamentit përbëhej nga Kastriot Islami (PPSH), Lush Përpali (PPSH) dhe Aleksandër Meksi (PD). Më 1992 rolet u ndryshuan, praktikë që është përsëritur çdo herë kur ka pasur rotacione politike.
Referuar të dhënave të përpunuara nga Instituti i Studimeve Politike (ISP), në 10 legjislatura Kuvendi ka pasur 9 kryetarë (Arbnori dhe Topalli kanë qenë drejtues secili në dy legjislatura) dhe se vetëm dy gra kanë arritur të jenë kryetare parlamenti (Topalli dhe Nikolla). Vetëm një kryetar parlamenti ka dhënë dorëheqje parimore (Dokle, 2002), një kryetar parlamenti është zgjedhur president (Meta, 2017), dhe se politikani me përvojë më të gjatë në drejtimin e parlamentit është Jozefina Topalli, e cila ka qenë 8 vjet kryetare (2005-2013) dhe 8 vjet nënkryetare e Kuvendit (1997-2005).
Në dy raste drejtimi i parlamentit i është besuar partive aleate (Gjinushi nga PSD 1997-2001 dhe Meta nga LSI 2013-2017), të cilët janë edhe kryetarët e vetëm të partive politike që kanë qenë kryetar parlamenti. Meta është i vetmi kryeministër dhe president që ka qenë edhe kryetar parlamenti, Ruçi dhe Gjinushi janë të vetmit kryetarë parlamenti që kanë qenë zyrtarë të lartë edhe në sistemin e kaluar përpara 1990, po ashtu Pellumbi e Ruçi janë të vetmit që pas mandatit kanë dhënë dorëheqje nga politika aktive, Islami është i vetmi që gjatë viteve kaloi deputet dhe drejtues i partisë kryesore rivale, Topalli është e vetmja që pas mandatit krijoi parti të re politike.
Referuar të dhënave statistikore të votimit për kryetar parlamenti, sipas ekspertëve të Institutit të Studimeve Politike (ISP), Pjetër Arbnori (1996 dhe 1992) ka pasur përqindjen më të lartë të votave mbështetëse, përkatësisht 81% dhe 66%, herën e parë me mbështetjen e PSD dhe PR dhe herën e dytë pa praninë e opozitës në parlament, ndjekur nga Skënder Gjinushi më 1997 me 75% me votat e PS, PSD, PAD, PAA, etj, si dhe Islami më 1991 me 68% të votave të PPSH.
Kryetari me përqindjen më të vogël të votave mbështetëse ka qenë Pëllumbi me 50% (2002) dhe Topalli me 51% (2009). Në rastin e zgjedhës së Servet Pëllumbit më 2002, në garë përballë tij ishin edhe Preç Zogaj dhe Nikoll Lesi, secili me përqindje të vogël votash mbështetëse. Rasti i vetëm kur deputetë të mazhorancës dhe të opozitës propozuan një deputet për kryetar Kuvendi është viti 1991, kur 10 deputetë nga dy palët propozuan Dritero Agollin, por ai u rrëzua në votim.
Monitorimi i ISP tregon se në disa raste zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është bërë në kushtet e bojkotit parlamentar nga opozita, dhe se në tërësi opozita ka pasur votë politike kundër. Edhe në zgjedhjen e Lindita Nikollës opozita votoi politikisht kundër, duke hedhur votat jashtë kutisë së votimit.
Aktualisht tre drejtuesit e rinj të Kuvendit (Nikolla, Alibeaj dhe Felaj, nuk kanë përvojë direkte të drejtimit të parlamentit dhe zgjidhen për herë të parë në këto poste, ndërkohë që asnjë prej kryesisë së legjislaturës së kaluar (Ruçi, Hysi e Murrizi) nuk do të jenë më deputetë. Midis drejtuesve Islami, Gjinushi dhe Nikolla janë tre ministra të arsimit të zgjedhur kryetarë të Kuvendit, ministra kanë qënë edhe Dokle dhe Meta. Arbnori e Topalli ishin të vetmit jo ministra në krye të parlamentit dhe njëherësh, të vetmit ish të perndjekur politikë. Arbnori kaloi rreth gjysmën e jetës aktive në bugjet politike të sistemit të kaluar, ndërkohë që nga 9 kryetarët 5 kanë qenë anëtarë të PPSH në sistemin e kaluar.