Kompanisë së linjës së Unazës i hiqet liçensa

2 Minuta Lexim

Bashkia e Tiranës i ka hequr licencën kompanisë që menaxhon linjën e Unazës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, gjatë një takimi me administratorët e shkollave, në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e vitit të ri arsimor parauniversitar në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë shpjegoi se vendimi është marrë pas abuzimeve të shumta të denoncuara edhe nga përdoruesit e linjës, teksa ka paralajmëruar edhe linjat e tjera të transportit publik, i cili prej 3 muajsh është në vëzhgim dhe kontroll të rreptë nga ana e Bashkisë.

“Kam qenë shumë i angazhuar gjatë kësaj vere për të bërë disa ndërhyrje në transportin publik. Një prej tyre ka të bëjë me linjat e funksionimit të autobusëve në Tiranë. Kam vendosur që këtë javë t’i heq licencën kompanisë që menaxhon linjën e Unazës për një sjellje absolutisht të papërgjegjshme, për abuzim gjatë gjithë kohës së Covidit me justifikimet për të kryer shërbimin. Ky është edhe një paralajmërim për linjat e tjera. Po i vëzhgojmë me shumë imtësi,” deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Kreu i Bashkisë Tiranë tha se linja do të rivihet menjëherë në dispozicion të qytetarëve, por tashmë me një operator tjetër.

“Për të qetësuar të gjithë qytetarët që përdorin atë linjë, tranzicioni për t’u kthyer në normalitet do të ndodhë përpara vitit shkollor,” tha Veliaj, duke shtuar se, për të lehtësuar trafikun që rëndohet në muajin shtator me hapjen e shkollave, do të hyjë në fuqi dhe regjimi i furnizimit të pikave ushqimore dhe supermarketeve.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull