Në një pandemi globale, është e kuptueshme që ka ndryshuar kuptimi i asaj çfarë e bën një qytet “të sigurt”. Kjo mund të shpjegojë ndryshimin në renditjen e Indeksit të Qyteteve të Sigurta të Njësisë së Inteligjencës së Economist (SCI).
SCI rendit 60 destinacione ndërkombëtare bazuar te siguria dixhitale, siguria shëndetësore, infrastruktura, siguria personale, si edhe siguria mjedisore, një kategori që u shtua për herë të parë këtë vit.
Qytetet aziatike si Tokio, Singapori dhe Osaka kane qenë vazhdimisht në vendet e para, por për vitin 2021 renditet një qytet europian. Kopenhagen u shpall qyteti më i sigurt në botë për vitin 2021, duke grumbulluar 82.4 pikë nga 100 në raportin vjetor. Siguria mjedisore ndikoi në renditjen e kryeqytetit të Danimarkës, i cili në vitin 2019 qëndronte në vendin e tetë.
“Një faktor kryesor që e bën Kopenhagenin një qytet kaq të sigurt është shkalla e ulët e krimit, aktualisht në nivelin e tij më të ulët në më shumë se një dekadë,” tha në raport Lars Weiss, kryebashkiak i Kopenhagenit.
“Kopenhagen karakterizohet gjithashtu nga kohezioni i madh shoqëror dhe një hendek relativisht i ngushtë i pasurisë. Është një qytet ku asistenti i pastrimit dhe drejtori ekzekutiv takohen me njëri-tjetrin në supermarketin lokal dhe i kanë fëmijët në të njëjtën shkollë. Ky është një nga gurët themelorë të kulturës daneze dhe kontribuon shumë në nivelet e larta të besimit dhe sigurisë nga të cilat përfitojmë.”
Toronto humbi vendin e parë dhe u rendit në vendin e dytë, i ndjekur nga Singapori dhe Sidnei. Tokio qëndron në vendin e pestë.
Top10 qytetet më të sigurta në botë:
1. Kopenhagen
2. Toronto
3. Singapori
4. Sidnei
5. Tokio
6. Amsterdam
7. Uellington
8. Hong Kong
9. Melburn
10. Stokholm