Institucioni në dorë të Martin Lekës/ Loja politike lë pa Drejtor të Përgjithshëm RTSH-në

6 Minuta Lexim

Për më shumë se katër muaj Radio Televizioni Publik Shqiptar (RTSH) është nën administrimin e zvendësdrejtorit të Përgjithshëm Martin Leka. Kjo pasi drejtori i Përgjithshëm, Thoma Gëllçi e ka lenë detyrën në datën 20 maj 2021, pas përfundimit të mandatit dhe një vendimi të Këshillit Drejtues të këtij institucioni, të kryesuar nga Leka Bungo…

Nga Arbër DALMATI –

Me tetë vota “pro” shkarkimit të Thoma Gëllçit Këshilli ka miratuar që gjigandi i vetëm mediatik të mbesë pa drejtor. Sipas Ligjit në fuqi,administrimi i këtij institucioni kalon automatikisht te zëvendës drejtori Martin Leka.
“Drejtori i Përgjithshëm i RTSH Z.Thoma Gëllçi të lirohet nga detyra dhe t’ia dorëzojë detyrën Zv.Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH Z.Martin Leka, në zbatim të nenit 105 pika 2 të ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në RSH”, lexohet në vendimin e datës 20 maj 2021.

Një akt ky ciklik për faktin se përgjatë dhjetë viteve të qendrimit në këtë detyrë ( a thua është i vetmi i prerë për zëvendës), Martin Leka merr frenat e drejtuesit sa herë largohen drejtorët e Përgjithshëm. Ikja e të cilëve gjithmonë krijon boshllëk institucional ( sepse jo pa qëllim mungon një nen në ligjin për RTSH-në që të lejojë qendrimin në detyrë të drejtorit të “vjetër” deri sa të emërohet i riu), si ky i lëni pas vendimit të largimit të Thoma Gëllçit.

Një boshllëk i rrezikshëm për faktin se, së pari nuk dihet sa do të zgjasë periudha e emërimit të drejtuesit të ri dhe, së dyti sepse ky boshllëk dhe administrimi i RTSH nga zvendësi krijon premisa për abuzime dhe afera korruptive me detyrën.

Gjë që sipas përfoljeve ka ndodhur dhe vijon të ndodhë, paçka se në periudhën e parë nëntor 2013-maj 2016, kur dorëheqja e Petrit Becit la në drejtim zëvendësin e përjetshëm, nuk është bërë fare auditim nga KLSH-ja. Kjo përbën një skandal më vete, që mund të riparohet dhe duhet të riparohet sa më parë, sepse letrat aty janë.

Gjithsesi le ti lemë për më tej përmbajtjen e raporteve “sekrete” audituese dhe të vijojmë me atë që duket, pra me boshllëkun që ka sjellë hamulli në RTSH-në e lenë në dorë të zvendësdrejtorit. Një boshllëk që vijon prej më shumë se katër muajve, që nuk di kush të të thotë sa do zgjasë, por që s’është çudi të shkojë dhe me muaj të tjerë pasues, pse jo dhe me vite.

Të paktën përvojat e shkuara bëjnë ta besosh këtë së bashku me faktin se periudha midis ikjes së paraardhësit të Gëllçit dhe emërimit të këtij të fundit zgjati më shumë se dy vjet gjersa maxhoranca e”rilindjes” ja doli që pas ndryshimit të ligjit për RTSH-në, nën përkujdesjen e “emisarit të Ramës” Alfred Peza, atë kohë deputet nënkryetari i komisionit të medias, me shumicën e anëtarëve të saj në Këshillin Drejtues, ja doli ta emëronte Thoma Gëllçin e rrëzuar tre herë me vota, në krye të RTSH-së.
Edhe këtë periudhë boshllëku të kreut të institucionit e mbushi Martin Leka, që çuditërisht vijoi të mbetet i pashqitshëm nga detyra…..

Burime renda RTSH-së i thanë “Arberia News” se po e njejta lojë politike po luhet edhe sakaq ku dy krahët e politikës nuk po bien dakort për kandidaturën zvendësuese të Thoma Gëllçit. Maxhoranca këmbëngul ta trashëgojë edhe për një mandate tjetër 5-vjeçar drejtimin e RTSH-së, për bërjen publike të të cilit u angazhua por kurrë nuk e realizoi, ndërkohë që opozita PD insiston që në krye të jetë një përfaqësues i saj. (Pra sërish garë midis militantësh partiake, ndonëse paratë i paguan publiku?!). Të lakuar deri më tani nga media kanë qenë disa emra militantësh mediatik, të pakonfirmuara zyrtarisht nga asnjëra prej forcave politike, që të përfshira ethshëm në betejën “Basha-Berisha”, kanë lenë në harresë boshllëkun institucional të shkaktuar nga largimi i “rilindasit” Thoma Gëllçi dhe të pa-mbushur nga zvendësi i përjetshëm, gjithëpartiaku Martin Leka, për karrierën administrative si zvendësdrejtor të të cilit do të flasim në vijim./ Arberia News. net

©Copyright: Arberia News.net

 THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “Arbërianews.net”, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Arbëria News.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës  i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull