Zbulohet emri i Kryegjyqtarit që morri 750 mijë euro, për lirimin nga burgu të dy vëllezërve

3 Minuta Lexim

Ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, ka qenë njeriu që është kapur në flagrancë nga përgjimet e prokurorisë duke folur me qëllim lirimin nga burgu të dy vëllezërve lazaratas të arrestuar nga Policia.

Zbulimin e identitetit të Kryegjyqtarit të mbetur sekret për shumë vite me rradhë e ka nxjerrë Sali Berisha, ish presidenti, ish kryeministri, ish deputeti, ish kryetari i Partisë Demokratike, deputet në funksion dhe i shpallur “non grata” nga SHBA.

Dekonspirimin e Xhezair Zaganjorit, ish kryegjyqtarit të Gjykatës së Lartë, si autor të aferës 750 mijë euro, sikurse raporton “pamfleti”: Berisha e ka bërë gjatë takimit me demokratët fierak, aktiviteti i rradhës ky i ndërmarrë nga Berisha për të sqaruar përplasjen e tij me SHBA-në dhe kryetarin në detyrë Lulzim Basha, i cili e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i PD-së.

Ndërsa ligjëronte lidhur me raportet e tij me SHBA-në, Sorosin e Lulzim Bashën, në hapërdarjen e vet të njohur jashtëtematike, Berisha përmendi se Xhezair Zaganjori ishte zyrtari i lartë i Sistemit të Drejtësisë që u kap në përgjimet e prokurorisë në dhjetor 2019, duke folur me një person publik në Shqipëri me qëllim nxjerrjen nga burgu të vëllezërve Aliko, kundrejt 750 mijë eurove.

Në atë kohë, identiteti i Zaganjorit nuk u publikua, por u tha se në këtë aferë korruptive ishte përfshirë një zyrtar i lartë i Sistemit të Drejtësisë.

Kështu që denoncimi i djeshëm nga Sali Berisha merr edhe vlerë juridike për ngritje akuze, pasi për herë të parë del në publik emri i ish-Kryegjyqtarit të kapur në flagrancë gjatë përgjimeve të kyçura në sirtar të Prokurorisë.

Lidhur me mbajtjen fshehur të emrit të Xhezair Zaganjori, Berisha sqaroi se ai nuk u publikua me qëllim për të mos cënuar Sistemin e Drejtësisë, që ishte nën kontrollin e maxhorancës.

Rikujtojmë se Xhezair Zaganjori u largua prej funksionit të lartë të kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe sistemi i drejtësisë nga procesi i vettingut pasi iu gjetën në llogari  mbi një miliardë lekë të cilat nuk mundi ti justifikonte.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull