Nga Aleksander ÇIPA-
Kjo javë shënoi fillimin e sesionit të 76-të të Asamblenë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, platforma më e madhe në shkallë globale. Asambleja e Përgjithshme është jo vetëm organi kryesor politikëbërës i OKB-së, duke qënë se përfshin të gjithë 193 vendet anëtare me votë të barabartë, por edhe është një forum i paprecedentë për faktin se krijon një mundësi tërësisht të veçantë për të përfituar nga diskutimet e liderëve globalë mesazhe të rëndësishme për të tashmen dhe ardhmërinë e sistemit global.
Për shkak të vështirësive të shkaktuara nga pandemia, përmasat e delegacioneve këtë vit nuk ishin si ato me të cilat jemi të mësuar në mbledhjet e mëparshme. Megjithatë, mbi 100 krerë shtetesh u mblodhën në qytetin e Nju Jorkut për të dhënë mesazhet e tyre, por edhe për të marrë pjesë në takime të ndryshme bilaterale dhe multilaterale në margjina të mbledhjes zyrtare. Ndërkohë, një pjesë tjetër e fjalimeve, të atyre që nuk ishin të pranishëm në sallën e OKB-së, erdhën të regjistruara.
Si gjithmonë, në takime të tilla, vëmendjen kryesore e marrin liderët e superfuqive botërore. Në debutimin e tij në OKB si lider i Shteteve të Bashkuara, Presidenti Joe Biden, bëri thirrje për solidaritet dhe unitet kundër armiqve të përbashkët globalë si pandemia COVID-19, ndryshimet klimaterike, por dhe rreziqet e teknologjive të reja.
Nga ana tjetër, është interesant fakti që në këtë gjatësi vale ishin edhe komentet e Presidentit kinez Xi Jinping, i cili nuk u ndal vetëm në evidentimin e këtyre problematikave dhe në shprehjen e qëndrimit të Kinës për sa i përket atyre. Në fakt, Presidenti kinez shpalosi propozime të ndryshme për zgjidhjen e tyre dhe theksoi nevojën për rritje të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit në përballjen me këto sfida globale. Sipas tij, bashkëpunimi me dhe nëpërmjet OKB-së është aktualisht më i rëndësishëm se kurrë. Duke vënë përsëri theksin te multilateralizmi, ai këmbënguli se të gjitha shtetet anëtare kanë detyrimin që të kontribuojnë në këto kauza madhore.
Fjalimi i presidentit Xi përmbante disa pika kryesore, duke filluar natyrisht me atë që është edhe më aktualja, pandemia COVID-19, prej së cilës rrjedh dhe fakti që asambleja nuk po mbahet në kushte normale. Në sinton me homologun amerikan, mesazhi i presidentit kinez ishte gjithashtu një thirrje për unitet ndërkombëtar në përgjigje të pandemisë dhe krizës shëndetësore.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti Xi theksoi rëndësinë e vaksinimit, si arma më e fortë kundër pandemisë, dhe u rishpreh përgjegjësia që ndjen Kina për ta bërë vaksinën të aksesueshme nga të gjithë, me një vëmendje më të madhe drejt vendeve të varfra dhe atyre në zhvillim. Në vijm të saj, Kina ndërmerr angazhimin për t’i siguruar shteteve më në nevojë një total prej dy miliardë doza vaksinash, teksa 100 milionë vaksina do t’u dhurohen vendeve në zhvillim deri në fund të vitit.
Por, ajo që tërhoqi më shumë vëmendje në fjalimin e presidentit kinez, ishte propozimi për Iniciativën e Zhvillimit Global, një iniciativë që sipas tij mund të ndihmojë në ringritjen e ekonomisë dhe të mundësojë një ardhmëri krejtësisht të re të zhvillimit global. Gjasat janë që Uashingtoni zyrtar, por ndoshta edhe vende të tjera në perëndim, ta shohin me skepticizem këtë iniciativë, duke e parë nëpërmjet lupës së përpjekjeve hegjemonike të Kinës në raport me komunitetin ndërkombëtar.
Fjalimi i Presidentit Xi vazhdoi me shtjellimin e mëtejshëm të kësaj ideje për bashkëpunim dhe vendosjen si prioritet të zhvillimit duke përforcuar partneritetet globale në mënyrë të balancuar. Në planin e përshkruar gjatë Ansamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nuk munguan tematikat e inovacionit dhe harmonia e njeriut me natyrën ku presidenti Xi ripohoi planin e Kinës për të arritur neutralitetin e emetimit të karbonit para 2060.
Në këtë mënyrë, në vijimin e fjalimit të tij presidenti Xi, e shfrytëzoi mundësinë e fjalës në një foltore kaq të rëndësishme për të riforcuar imazhin e Kinës si një forcë përbashkuese. Mesazhe solidariteti dhe respekti reciprok, thirrje për dialog dhe bashkëpunim të shtuar, si edhe thirrja për të vënë në praktikë multilateralizmin e vërtetë nën fundamentin e OKB-së, e shoqëronin fjalimin në tërësinë e tij.
Rishtazi dhe njëherë, në fjalët e liderëve të shteteve të ndryshme vërejmë pikëtakime rreth shqetësimeve të përbashkëta. Disa nga propozimet e Kinës janë, në këtë rast, të vlefshme. Edhe nëse nuk ecin menjëherë drejt hedhjes së bazamentit për krijimin e një iniciative globale, duke formësuar edhe një pikë referimi për dialogun e mëtejshëm, ajo japin një sinjal të fortë që do ndihet në Uashington dhe në qendrat e tjera të rëndësishme të vendimmarrjes globale.