Të mërkurën në Bruksel po qëndrojnë shefat e grupeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, për të diskutuar rrugëdaljen nga situata e krijuar pas vendimit të Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat e makinave me Serbinë.
Të dy negociatorët po takohen fillimisht ndarazi me të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ndërsa diskutimeve pritet t’u bashkohet edhe Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar.
Diskutimet së mërkurës u bënë të mundura me përpjekjet perëndimore për të ulur tensionet në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë për të dhjetën ditë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët që shpiejnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë proteste ndaj vendimit për targat.