PSE LEKA BUNGO SHMANG NGA KONTROLLI ZV. DREJTORIN E RTSH-SË, MARTIN LEKA?

5 Minuta Lexim

Nëpërmjet një kërkese zyrtare kryetar i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Publik Shqiptar, Leka Bungo i ka kërkuar Drejtorisë së Auditit të këtij institucioni gjykim lidhur për:“…Dyshimet e lindura nga  informacionet për shpërblimin e skenarëve të bisedave apo debateve politiko-shoqërore.

Nga Arber DALMATI –

Kërkesa e Bungos ka në qendër lidhjen e kontratave me gazetarët  e një sërie emisionesh të RTVSH për të cilat egziston dyshimi se: “janë lidhur në  shkelje të ligjit”.

Në kërkesë kryetari Bungo, ndër të tjera, shprehet se: me urdhër të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, Thoma Gëllci, vetëm në dy vitet e fundit janë  paguar 28.180.000 lekë për skenarë të munguar  e për synopse të “paraqitura” si skenarë, ndërkohë që, sipas ligjit, synopset nuk janë  parashikuar në tarifat e pagesave të RTSH-së etj.

Faksimile, kërkesa e Leka Bungos.

Kërkesa është një e drejtë ligjore e titullarit të Këshillit Drejtues, por ajo që tërheq vëmendje lidhet me faktin pse Leka Bungo nuk bën të njejtën kërkesë auditimi edhe për periudhat kohore tranzitore, kur institucionin e ka drejtuar zvendës drejtori Martin Leka?! Periudha kohore këto goxha të gjata dhe të mbushura me përfolje gjithfarëshe.

Në dy shkrime të mëparëshme Arberia News ka publikuar “lojrat” politike që vijojnë të luhen me Radio Televizionin Publik shqiptar të mbetur sërish, për të disatën herë, në dorën e zvendës drejtorit Martin Leka.

Transferimi i drejtimit të këtij institucioni tek Martin Leka ka ndodhur katër muaj më parë, në 20 maj 2021, pas ikjes së ish drejtorit Thoma Gëllçi, si pasoje e mbushjes së mandatit si drejtor i Përgjithshëm.

Si edhe herë të tjera në të tilla kapërcyelle ikja e Gëllçit solli boshllëk institucional për shkak se përveç nenit 105 pika 2 të ligjit 97/2013  “Për Mediat Audiovizive”, në këtë ligj  mungon  një nen që të përcaktojë afatin kohor brenda të cilit Këshilli Drejtues duhet të emërojë Drejtorin e ri, sikurse mungon dhe një nen që për këtë periudhë kohore ndërmjetëse të lerë në detyrë Drejtorin e vjetër.

Në foto: zv. Drejtori i RTSH, Martin Leka.

Duke përfituar prek kësaj “sallate” ligjore shqiptare përgjatë dhjetë viteve qenieje në detyrën e zvendësit  Martin Leka, e ka parë veten në rolin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së për disa herë.

Kjo, e theksojmë: falë  zvarritjeve të Këshillit Drejtues në procesin e zgjedhjes së drejtorit të ri, që ka qenë dhe vijon të jetë atribut ekskluziv i lojrave të forcave politike për ta dominuar këtë institucion me qëllim shërbestarinë ndaj tyre dhe jo ndaj publikut, me taksat e të cilëve gjigandi mediatik financohet.

Falë lojrave prapaskenike politike, periudhën më të gjatë të qënies zvendës me atribute drejtori të Përgjithshëm, Martin Leka, e ka patur në kapërcyellin e ikjes së Petrit Becit dhe ardhjes së Thoma Gëllçit.

Kjo është dhe periudha më e errët e RTVSH-së, e mbushur me përfolje për abuzime, për shitje vëndesh pune, korrupsion e afera me paratë e taksapaguesve, që nisin që nga pagesat për blerjen e Champion League së futbollit e deri tek Ëimbledon apo The Championships (kampionati i tenisit), që përflitet se janë blerë kundrejt shumave e procedurave abuzime.

Deri më sot përfoljet kanë mbetur të tilla për shkak edhe të mungesës së kontrollit nga ana e institucioneve audituese të brendëshme e të jashtëne, kryesori ndër të cilët është Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH).

Sepse është fakt që, ndërsa periudhat kohore të qëndrimit në detyrë të drejtorëve të Përgjithshëm janë audituar, boshllëqet kohore të administrimit tranzitiv të RTSH-së nga zvendësdrejtori Martin Leka, të mbushura me përfolje për lloj-lloj abuzimesh,  janë anashkaluar si nga inspektorët e Auditit të Brendshëm ashtu dhe nga KLSH. Ato nga sa duket u harruan edhe nga kryesuesi në funksion i Këshillit Drejtues Leka Bungo, duke vijuar të lerë pezull vërtetësinë e përfoljeve, por dhe duke ngritur dyshime në seriozitetin e kontrolleve të planifikuara e të kërkuara nga ana e titullarëve../ Arberia News.net

©Copyright: Arberia News.net

 THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “Arberianews.net”, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Arbëria News.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës  i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull