Pas 10 vjet heshtjeje, Ministria e Arsimit vendosi të pasurojë bibliotekat e shkollave me disa pak tituj librash. Sigurisht që do donim ta përshëndesnim faktin që Ministria u zgjua nga gjumi shumëvjeçar, por duke parë se si ka nisur, në fundin të qershorit të këtij viti, cili është bordi përzgjedhës, cilat janë kriteret dhe sidomos kërkesa e Ministrisë, e datës së sotme, nuk na mbetet vetëm se të bëjmë disa vërejtje themelore.
Kemi kërkuar të dimë sa është buxheti për këtë pasurim për vitin 2021 dhe sa do të jetë buxheti për vitin 2022. Kur do të fillojë pasurimi i bibliotekave? Asnjë përgjigje.
Mungesa e konsultimeve me Shoqatat dhe komunitetin e botuesve për kriteret dhe mundësinë e përmbushjes së tyre, si dhe të propozimeve dhe praktikave për dokumentacionin, ka dëmtuar procesin.
Kur themi që MASH duhet të këshillohet edhe me ne, e themi jo vetëm sepse ne jemi (me shumë siguri dhe fare pa modesti), ndër njohësit dhe specialistët më të mirë të librit dhe letërsisë, por edhe për ta ruajtur Ministrinë që të mos kërkojë gjëra absurde.
Njoftimi i Ministrisë u bë ditën e enjte 29 shtator 2021 dhe data e dorëzimit është ditën e hënë 4 tetor 2021.
Sipas kërkesës, çdo shtëpi botuese do të dorëzojë një listë me 5 tituj. Sipas nesh, botuesit mund të propozojnë edhe 2 tituj, edhe 50 tituj. Nuk duhet të ketë kufizim. Sa miratohen, është çështje tjetër. Kjo për hir të cilësisë, për hir të mundësisë së përzgjedhjes,
Na thonë që Kërkesa duhet të shoqërohet me 4 dokumente. Dy prej tyre i konsiderojmë procedurë të rregullt:
a. Shkresa zyrtare dhe
d. Ekstrakti i regjistrit tregtar, pra nga QKB.
Dy të tjerat lidhen me b. noterizimin e kontratave të të drejtave: Nuk kemi pse të bredhim nëpër zyra noterie për të noterizuar marrëdhëniet me autorët tanë të huaj deri sa posedojmë kontratat përkatëse. Veç kësaj, kontratat tona janë librat tanë, dinjiteti ynë.
Kërkesa c: marrja e certifikatave nga ZMDA. Asnjë ligj nuk na e detyron këtë. Marrëveshjet tona të licensimit kur janë ndërkombëtare, janë të certifikuara në vendet e origjinës, sipas ligjeve të vendit të origjinës dhe u binden vetëm gjykatave të vendit të origjinës.
Kemi shumë vite që ne botuesit shqiptarë aplikojmë dhe fitojmë projekte përkthimi e botimi dhe bashkëpunimi në Programe të Bashkimit Europian dhe me institucione të vendeve të Bashkimit Europian, por edhe me vende e institucione të tjera nëpër botë, që nga ShBA e deri në Kinë.
Kurrë nuk na kanë kërkuar dokumente të noterizuara apo të certifikuara, siç na i kërkojnë në vendin ku zhvillojmë veprimtari dhe ku paguajmë taksat!
Mjafton një shkresë zyrtare, ku të nënvizohet që botuesi mban përgjegjësi ligjore për respektimin e të drejtës së autorit, CV e shtëpisë botuese dhe ekstrakti që merret në format elektronik në QKB.
Kaq mjafton për të aplikuar në botën e madhe që na rrethon!
Dërgoni brenda datës 4 tetor listën me të gjithë titujt që ju mendoni se janë të përshtatshëm dhe të nevojshëm për bibliotekat shkollore.
Bashkëngjitur të vendosni letrën shoqëruese dhe ekstraktin e QKB.
Besojmë në mirëkuptimin tuaj.