Skandali ‘Pandora’/ Kontraktori i OST-së transferoi miliona euro për kompaninë “offshore”

11 Minuta Lexim
Dokumentet zbulojnë se kompania boshnjake ‘Energoinvest’, e cila ndërtoi linjën e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, i pagoi miliona euro një firme të vogël konsulence në Emiratet e Bashkuara Arabe, e drejtuar nga një biznesmen shqiptar me lidhje politike.

Kur reshjet e dëborës mbuluan veriun malor të Shqipërisë këtë janar, erërat e forta dhe akulli shkaktuan shembjen e shtyllave të tensionit të lartë dhe nxorën jashtë funksioni linjën 400 kilovolt të energjisë elektrike që lidh digat mbi lumin Drin me Kosovën fqinje.

Linja e tensionit të lartë kishte filluar punë pak kohë më parë në dhjetor 2020. Koha e keqe dhe terreni i thyer bën që riparimet të mos fillonin deri në shkurt dhe linja të riparohej në maj.

Megjithatë, ndërprerja për shkak të motit të keq, ishte vetëm problemi i fundit që prekte linjën e re të energjisë elektrike të gjatë 241 kilometra, një projekt që ka marrë gati 10 vjet për t’u realizuar dhe ka një rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe Kosovën, pasi vendos themelet për pavarësinë energjetike të Prishtinës nga Beogradi duke themeluar një bllok të ri transmetimi në rajon.

E financuar nëpërmjet një kredie nga banka shtetërore gjermane KfW, procedurat e tenderimit për pjesën shqiptare të projektit filluan në vitin 2011.

I shoqëruar nga akuzat për korrupsion, procesi i prokurimit u vonua për tre vjet deri në prill të vitit 2014, kur Operatori i Sistemit të Transmetimit në Shqipëri, OST, firmosi një kontratë prej 29 milionë euro me kompaninë inxhinjerike boshnjake ‘Energoinvest’ për të ndërtuar pjesën e linjës që shtrihej në Shqipëri, e cila mbaroi në mes të vitit 2016.

Linja e re u festua në Shqipëri dhe Kosovë si një arritje e rëndësishme për sektorin energjetik.

Megjithatë, tani, një seri dokumentesh të siguruara nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative, BIRN, zbulojnë se duke filluar nga viti 2013, Energoinvest i pagoi në total 3.6 milionë euro një kompanie të vogël konsulence to regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe në mars të atij viti – kompania ‘AL Energy Transmission’, e cila drejtohet nga biznesmeni shqiptar, Vasil Kallupi.

Edhe pse nuk është e paligjshme, ekspertët paralajmërojnë se kur paratë transferohen nëpërmjet juridiksioneve ‘offshore’, risku i korrupsionit rritet.

“Në shumë raste kemi parë se kompanitë fituese janë thjesht fasada për të fshehur faktin se pazarin për ta fituar atë tender e ka bërë miku me nënkontraktorin,” tha Gjergji Vurmo, një ekspert mbi kapjen e shtetit në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë.

E kontaktuar me email dhe telefon, Energoinvest nuk ju përgjigj pyetjeve në lidhje me kompaninë AL Energy Transmission LTD, dhe nuk dha arsye pse i kishte paguar miliona euro një kompanie të sapokrijuar që kishte pak eksperiencë në sektorin energjetik. Drejtuesi i AL Energy Transmission, Vasil Kallupi nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Politika dhe siguria energjetike

Inaugurimi i bllokut të përbashkët të transmetimit Shqipëri – Kosovë | Foto: OST

Pas rënies së regjimit komunist në fillim te viteve 1990-të, Shqipëria kaloi një tranzicion të vështirë dhe shpesh herë të trazuar drejt ekonomisë së tregut, çfarë solli një kërkesë në rritje për energji elektrike. Mungesa e linjave të interkonjeksionit për tu lidhur me tregun Europian dhe investimet e munguara gjatë dekadave në rrjetin e brendshëm, e bënë të vështirë furnizimin dhe përgjatë një dekade prerja e dritave u kthye në normë.

Për të siguruar furnizimin me energji elektrike përmes importit, gjatë dy dekadave të fundit Operatori i Sistemit te Transmetimit në Shqipëri ka investuar në tre linja intekonjeksioni të tensionit të lartë.

Linja e interkonjeksionit midis Kosovës dhe Shqipërisë ishte në mënyrë të veçantë e rëndësishme, jo vetëm sepse rriste potencialin e transmetimit të energjisë elektrike midis dy vendeve por gjithashtu përbënte themelin e nje blloku të ri transmetimi të integruar në tregun rajonal.

Tenderi i parë për ndërtimin e linjës u mbajt nga OST ne mars 2011. Kompania kroate Dalekovod ofroi ta ndërtonte linjën për 36 milionë euro dhe Energoinvest për 29 milionë euro. Dalekovod u përzgjodh si fituese për shkak të ofertës më të mirë teknike. KfW dha dritën jeshile, por OST refuzoi ta nënshkruante kontratën.

Kur ndryshoi qeveria dhe socialistët e kryeministrit Edi Rama erdhën në pushtet, një tender i dytë u mbajt dhe në dhjetor 2013 oferta e Energoinvest prej 29 milionë euro u përzgjodh. OST-ja e nënshkroi kontratën në prill 2014 dhe Energoinvest e përfundoi pjesën prej 151-kilometra të linjës, midis Tiranës dhe kufirit me Kosovën në qershor 2016. Dalekovod ndërtoi pjesën kosovare të linjës së interkonjeksionit.

E inauguruar me ngazëllim të madh në dhjetor 2016, linja e interkonjeksionit nuk mund të transmetonte energji elektrike menjëherë për shkak të konfliktit politik midis Serbisë dhe Kosovës.

Kosova u nda nga Beogradi me ndihmën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 dhe deklaroi pavarësinë në vitin 2008, por rrjeti i saj energjetik ishte akoma i lidhur me Serbinë. Në fillim të vitit 2018, konflikti politik solli një devijim të frekuencës në rrjetin Evropian të sinkronizuar të tensionit të lartë, duke bërë që miliona orë elektronike të mbeteshin pas nga Spanja në Turqi.

Një zgjidhje u gjet në prill 2020, kur Operatori Evropian i Sistemeve të Transmetimit, ENTSO-E, e lejoi Operatorin e Transmetimit të Energjisë Elektrike në Kosovë, KOSTT, që të largohej nga blloku i kontrollit me Serbinë dhe të krijonte një bllok të ri me Shqipërinë, duke krijuar Bursën Shqiptare të Energjisë, ALPEX.

Punë fitimprurëse konsulence dhe lidhje politike

Faksimile e llogarisë bankare të AL Energy Transmission në Bendura Bank.

E themeluar në vitin 1953 në Jugosllavinë socialiste, kompania Energoinvest me qendër në Sarajevë është një aktor i njohur në tregun e linjave të transmetimit në Ballkan dhe përpara tenderit të vitit 2013, kishte ndërtuar qindra kilometra linja të tensionit të lartë në Shqipëri.

Në vitin 2011, ajo punoi me Dalekovod në ndërtimin e linjës 400 kilovolt midis Shqipërisë dhe Malit të Zi; midis 2013 dhe 2016 u kontraktua nga OST për të ndërtuar linjën 110 kilovolt në jug të Shqipërinë; dhe në vitin 2020, sëbashku me kroaten Koncar, Energoinvest fitoi një tender 35 milionë euro për ndërtimin e linjës së tensionit të lartë midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

AL Energy Transmission LTD është themeluar në mars 2013 në Ras al-Khaimah, një nga shtatë emiratet që përbëjnë Emiratet e Bashkuara Arabe, nëpërmjet një kompanie që jep shërbime për regjistrime ‘offshore’ e quajtur ‘SFM Corporate Services’.

BIRN i mori dokumentet e regjistrimit të kompanisë nga një dosje me të dhëna – e njohur si Letrat e Pandorës – të rrjedhura për Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë, ICIJ.

Sipas këtyre dokumenteve, përfituesi fundor i kësaj kompanie – personi që është pronari dhe kontrollon kompaninë – është një grua 40 vjeçare nga Tirana e quajtur Jola Duro.

Ndërsa sipas planit të biznesit të kompanisë, të hartuar në shkurt 2013, përpara regjistrimit të saj, Duro listohet si menaxherja e zyrës dhe Kallupi si menaxher projekti. Sipas faqes në internet të kompanisë, Kallupi është themelues dhe administrator.

“Kompania ka një partner, Z.Vasil Kallupi,” shkruan plani i biznesit. Gruaja e Kallupit, Dëshira është tezja e Jola Duros. Duro nuk iu përgjigje një kërkese për koment.

Sipas planit të biznesit kompania u themelua me një kosto fillestare prej 8,600 euro me qëllimin të ofronte shërbime konsulence në sektorin e energjisë.

Sipas të njëjtit dokument stafi i kompanisë kishte eksperiencë në sektorin energjisë në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, përfshirë në hartimin e projektit dhe ndërtimin e linjës 400 kilovolt Tiranë-Podgoricë dhe linjës 110 kilovolt në jug të Shqipërisë – të dyja të kontraktuara nga Energoinvest.

Dokumentet e para nga BIRN përfshijnë gjithashtu një deklaratë të llogarisë bankare të Al Energy Transmission nga banka Bendura me qendër në Lichtenstein, e cila mbulon transaksionit në periudhën nga viti 2013 deri në 2019. Sipas deklaratës, Energoinvest bëri 39 pagesa ndaj kompanisë së konsulencës për një vlerë prej më shumë se 3.6 milionë euro.

Transferta më e madhe prej 1.5 milionë euro, është bërë me 26 prill 2013, një muaj pasi AL Energy Transmission u regjistrua.

Shumica e parave nga llogaria janë tërhequr nëpërmjet një kartë debiti për udhëtime, por ka edhe transferta për llogari të Vasil Kallupit, gruas së tij Dëshira dhe nipit të saj, Sokol Sferdelli.

Për disa njerëz në Shqipëri Kallupi njihet si ‘Vasili i Vienës’ për shkak se ai ka jetuar në kryeqytetin e Austrisë në vitet 1990.

Gazetari dhe botuesi Ylli Rakipi i tha BIRN se Kallupi ka qenë i afërt me Fatos Nanon, ish-lideri i socialistëve që e drejtoi Shqipërinë nga viti 1997 deri në vitin 2005. Nano doli në pension dhe u transferua në Vienë.

“Kallupi ka qenë një nga shqiptarët e parë që ka shkuar në Vienë në vitet 90,” tha Rakipi në një bisedë telefonike. “Është marrë me biznesin e energjisë me firmat e ish-Jugosllavisë dhe ka pasur lidhje me Nanon”

Një ish-zyrtar i qeverisë që foli në kushtet e anonimatit gjithashtu konfirmoi se biznesmeni kishte lidhje me ish-kryeministrin. /Reporter.al

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull