Samiti i BE në Brdo diskuton për raportet me SHBA-në dhe Kinën si dhe mundësinë e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së nga dita e martë (05.10) do të diskutojnë në Brdo të Sllovenisë marrëdhëniet me SHBA dhe perspektivën e antarësimit të vendeve të Ballkanit. Në samitin në Slloveni do të jetë edhe kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel. Konsultimet fillojnë të martën në mbrëmje në orën 19:00 me një darkë jo formale në kështjellën neo-klasike në Brdo afër Kranjit. Sllovenia kryeson aktualisht presidencën e radhës në BE.
Temat e samitit, sipas diplomatëve të BE-së janë: gjendja në Afganistan dhe raporti me SHBA-në dhe Kinën. Të mërkurën (6.10) krerët e vendeve të BE-së do të konsultohen me kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi. Në këtë raund do të bisedohet për mundësinë e zgjerimit të BE-së. Për shkak të rezervave që kanë vende të ndryshme anëtare të BE-së ky proces prej vitesh ka mbetur pezull.