Thiago Silva i ka ofruar mbështetjen e tij emocionale Neymar, mikut të ngushtë dhe shokut të kombëtares braziliane, i cili në fillim të kësaj jave pranoi se nuk e di nëse ka “forcën e mendjes për t’u marrë me futbollin” shumë më gjatë.
Silva tha se mund t’i kuptojë ndjenjat që Neymar i shprehu së fundi, por pranoi se ishte e dhimbshme të etiketohej publikisht “një qaraman, i dobët, shumë i dobët mendërisht”.
“Këtu në ekipin kombëtar kam kaluar disa momente, që janë shumë të ngjashme (me ato që po kalon Neymar), veçanërisht pas Kupës së Botës 2014.
Më quanin qaraman, shumë të dobët mendërisht. Këto janë gjëra që ju lëndojnë, sepse e dini që nuk jeni ashtu siç etiketoheni. Shpresoj se ai nuk do ta humbasë gëzimin e tij, do të vazhdojë të jetë i lumtur, ashtu siç është gjithmonë.
Neymar është një njeri shumë i veçantë dhe, kur ka lumturi brenda vetes, bën atë që do, ia del ndaj gjithçkaje”. Në një reagim në Instagram, Silva shtoi: “Nëse keni nevojë për dikë të fortë, që të jetë pranë jush, dijeni se unë do të jem gjithmonë aty. Familja Silva ju do”.
Neymar deklaroi më herët: “Mendoj se do të jetë Kupa ime e fundit Botërore (më 2022). E shoh atë si të fundit, sepse nuk e di nëse kam forcën e mendjes për t’u marrë më me futbollin”.