Në daljen e tij prej mbledhjes së Kryesisë së Partisë që drejton, Edi Rama ka dhënë një deklaratë për mediat, ku ka bërë të ditur se Partia Socialiste është në një proces transformimi, por edhe hapjeje. Deklarata e Edi Ramës vjen ndërkohë që prej tetë vitesh qënie në qeverisje kjo forcë politike ka zaptuar gjithsa duhen për të drejtuar një shtet, përveç presidencës.
“Jemi në një proçes transformimi dhe hapje të PS. Është një gjë, shumë e rëndesishmë që dua të ndaj me gjithë publikun, familjen tonë politike dhe të gjithë qytetarët. Është që një vije e kuqe e vendosur në mesin e partisë dhe do të thellohet në vijimësi”, ka thënë Rama, i cili duke u ndaluar tek punësimet në administratën publike, që dihet prej të gjithëve se bëhen me baza nepotike, militantizmi partiake dhe blerje me pare nën dorë, dha “sihariqin”.
“Kjo nuk është propagandë por vija ndarëse që do sjellë cilësi dhe qasje të administratës publike me qytetarët. Kemi garantuar që proceset e rekrutimeve realizohen përmes konkurseve. Këto janë proçese me integritet dhe shumë njerëz kanë arritur të marrin atë që ju takon. Për këtë do angazhohemi të gjithë”.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, i njohur për propagandën e shfrenuar dhe mosmbajtjen e premtimeve. Duam të themi me këtë se ndonëse ka artikuluar togfjalëshin “kjo nuk është propagandë”, si argument për ti mbushur mëndjen dëgjuesve, nisur nga përvoja e shkuar, ku lumi i premtimeve të Ramës është katandisur në përrua realizimesh, i bie të besojmë se kjo është tamam propagandë. Edhe për arsyen se edhe sikur të dojë Rama e ka të pamundur ta çmontojë nepotizmin, militantizmin dhe blerjen e vendeve të punës, në administratën publike. Kjo për arsye se e gjithë kjo batërdi ka ardhur si pasojë e nxjerrjes jashtë funksionit të strukturave përgjegjëse, si DAP etj., që kanë qenë e janë tërësisht në dorën e tij.
Pra premtimshumti Edi Rama ka dijeni për gjithçka, ai vepron sipas formulës “hidh gurin e fshih dorën”, njësoj si paraardhësi Sali Berisha. Qëllimi i qendisjes së një tillë administrate gërryerëse: nepotike, të degjeneruar dhe të zhytur në korrupsion, – është pikërisht qënia e saj kamikaze, komandimi dhe hedhja e firmave, për ta shpëtuar nesër nëse drejtësia vendos të sulmojë. Militantët dhe nepotikët i duhen Ramës përsa kohë synimi i tij të mos jetë mirëqeverisja por pushteti me çdo kusht, që vendoset nga numri i votave etj.
Ndaj themi që ta marrim këtë deklaratë të tij aspak seriozisht, por si propagandë të pastër me fund harresën.
© Copyright: Arberia News.net
THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “Arbërianews.net”, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Arbëria News.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.