Disa politikanë, pushteti i bën të humbasin arsyen, i kthen në kryelartë dhe arrogantë dhe, si përfundim, ata largohen nga realiteti. Madje disa prej tyre i kthen në të sëmurë mendorë vërtet të rrezikshëm, të cilët bëhen të paaftë për të marrë vendime të drejta dhe për të mirëqeverisur….
Nga Alfonso HERNÁNDEZ * –
Tani vonë lexoja një artikull të publikuar nga gazetari spanjoll Francisko Rubiales, me titull «Të qeverisur nga të çmendur të rrezikshëm», ku autori tregon se miliona qytetarë, në gjithë botën, nuk arrijnë të kuptojnë devijimin e politikës dhe as sjelljen e politikanëve. Ata ndihen të çoroditur para mungesës së urtësisë, qartësisë dhe zellit shërbyes të politikanëve, ndihen të flakur e të shkelur nga arroganca e tyre, nga etja e tyre për privilegje dhe përfitime.
Në shkrimin e tij ai citon politikanin dhe psikiatrin David Owen, i cili ka qenë Ministër i Shëndetit (1974 – 1976) dhe Ministër i Punëve Jashtme (1977 – 1979) i Britanisë dhe i cili pohon se shumë prej atyre që sot na qeverisin janë të sëmurë të rrezikshëm mendorë. Sëmundja e tyre do të sqaronte çdo gjë që popullit i rezulton e pashpjegueshme, përfshi korrupsionin, padrejtësinë, gënjeshtrat, dështimet, privilegjet e politikanëve, arrogancën e tyre, abuzimet dhe bëmat e panumërta kundër qytetarëve.
Për Rubialesin, shumë prej politikanëve, që sot qeverisin, janë plotësisht të sëmurë mendorë dhe kanë nevojë urgjente për trajtim intensiv psikiatrik. Sipas David Owen, sëmundja e tyre mendore ka simptomat e qarta të «Sindromës së arrogancës».
Pasi kreu detyrat në dy ministritë e lartpërmendura, psikiatri Owen, vitet e fundit, iu përkushtua mjekësisë, duke studiuar dhe investiguar trurin e njeriut. Gjatë kësaj kohe anglezi Owen ka zhvilluar një tezë mbi këtë «sindromë të “hybris” (teprisë)». Për atë kjo sindromë është një çrregullim personaliteti, simptomat e së cilës janë izolimi (vetmia), deficiti (mungesa) i vëmendjes ndaj të tjerëve dhe paaftësia për të dëgjuar të afërmit dhe ekspertët.
David Owen (In Sickmess and in Power, 2008) shpjegon se zotërimi i pushtetit shkakton ndryshime në gjendjen mendore dhe të çon në një sjellje arrogante; në këtë rast, në katalogun e tyre botëror, këto sëmundjet mendore, duhen të quhen «Sindromë e Arrogancës».
Francisko Rubiales më tej shtjellon se disa politikanë, pushteti i bën të humbasin arsyen, i kthen në kryelartë dhe arrogantë dhe, si përfundim, ata largohen nga realiteti. Madje disa prej tyre i kthen në të sëmurë mendorë vërtet të rrezikshëm, të cilët, sipas Owen-it, bëhen të paaftë për të marrë vendime të drejta dhe për të mirëqeverisur.
«Me të marrë pushtet, ata besojnë se tashmë janë perëndi ose të dërguarit e Zotit në tokë, adhurojnë personalitetin e tyre dhe shpesh bëhen mizorë. Disa besojnë se kjo sëmundje ndodh vetëm gjatë tiranive, por e vërteta është se ajo zhvillohet edhe gjatë demokracive, duke prekur pushtetarë që janë zgjedhur me votë të lirë.»
“Sindroma e Arrogancës”, tek drejtuesit që qeverisin demokracitë, të cilët nuk e kanë mundësinë të sillen tamam si diktatorë mizor, ka të tjera tipare dhe dukuri: ata ndjehen euforikë, nuk kanë skrupuj, nuk janë të vetëdijshëm për gabimet dhe dështimet e tyre dhe janë të aftë t’i zërë gjumi top, pa e vrarë mendjen për kundërshtimin masiv të qytetarëve, për pasojat e frikshme të dështimeve, për dramat dhe varfërinë e njerëzve, gjë që, për çdo person me mendje të shëndoshë, do të ishin të padurueshme.
Pra, është një sëmundje me peshë të tillë që i sjell gabimet njëri pas tjetrit, sepse, si pasojë e saj, aftësia e analizës nuk funksionon dhe vendimet apo masat e marra janë produkt i çekuilibrit, arrogancës dhe konfuzionit ekstrem. Pra, janë të gjitha gjasat që kjo sindromë të jetë “Sindroma e Arrogancës”, e përshkruar nga psikiatri David Owen.
Rubiales konsideron se një politikan që nuk ka brerje ndërgjegjeje për rrënimet që shkakton, që nuk ndjehet aspak fajtor dhe që nuk pendohet për asgjë, që nuk preket fare përpara vuajtjeve dhe kundërshtive të masës së madhe të të papunëve, të të varfërve, të njerëzve fatkeq që ka prodhuar qeveria e tij, sigurisht, duhet të ketë humbur arsyen dhe duhet të jetë i sëmurë rëndë. Oden thotë se ata që vuajnë nga Sindroma e Arrogancës nuk janë të aftë të qeverisin dhe e çojnë vendin që qeverisin drejt rreziqeve. Nëse këta politikanë të sëmurë do ta kthjellonin sado pak gjykimin, do të jepnin menjëherë dorëheqjen. Por këtë do ta bënin vetëm nëse do të kuptonin se janë dukshëm të paaftë psikologjikisht për të qeverisur një popull me gra dhe burra të lirë./ E solli nga spanjishtja në shqip: Bajram Karabolli.
* Politolog