BATËRDI E PAPRECEDENTË AFERASH ME PRONAT E USHTRISË

5 Minuta Lexim

Vetëm vlera e pronave detare të falura tek privatët llogaritet në mbi 200 milionë euro. Kjo nuk është thjesht një çështje vjedhje, siç ndodh rëndom me asetet dhe pronat publike, por një aferë e mirëfilltë kamikazësh, një batërdi e paprecedentë.

Nga Klodian TOMORRI –

Kur Sali Berisha akuzoi tre vjet më parë Artur Meçollarin si spiun të shërbimeve të huaja, socialistët u përgjigjën menjëherë. Ish ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka shkoi me urgjencë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku deklaroi se arsyeja e vërtetë e sulmeve të opozitës ndaj kapiten Meçollarit ishte një tjetër.

“Në vitin 2012, Meçollari u largua padrejtësisht nga Forcat e Armatosura, sepse nuk pranoi të firmoste heqjen e disa bazave detare nga Plani i Përhapjes. Nuk pranoi t’ua jepte ato miqve të doktorit dhe familjarëve të vet me Damir Fazlliç,” deklaroi Xhaçka.

Në vitin 2012 qeveria e Sali Berishës u përfol se tentoi të privatizonte 7.5 hektarë tokë në bazën e Kepit të Palit për llogari të biznesmenit kontrovers Damir Fazlliç. Vetë qeveria e atëhershme nuk i pranoi asnjëherë akuzat, por shkarkimi më pas i të gjithë zinxhirit komandues të Marinës nga Arben Imami ngriti shumë dyshime. Gjithsesi privatizimi i bazës së Bisht Pallës nuk u realizua asnjëherë. Madje deri në vitin 2015, Shqipëria nuk tjetërsoi asnjë metër katrorë të Forcës Detare. Por ajo që ka ndodhur më pas, është një batërdi e paprecedentë dhe një aferë e mirëfilltë kamikazësh.

Ndërsa akuzonte qeverinë paraardhëse për korrupsion të mbetur ne tentativë me Bazën e Kepit të Palit, Olta Xhaçka ishte duke dirigjuar operacionin më të madh në historinë e shtetit shqiptar për tjetërsimin e pronave të Ushtrisë. Sipas një raporti konfidencial të Marinës, në periudhën 2016-2020 kanë dalë nga Plani i Përhapjes dhe janë tjetërsuar tek privatët mbi 137 hektarë vetëm prona të Forcës Detare, që fillojnë nga grykëderdhja e Lumit Buna deri në Gjirin e Ftelias në kufirin jugor me Greqinë. Në këtë sipërfaqe nuk përfshihen pronat e privatizuara të Forcës Tokësore, asaj Ajrore dhe Policisë Ushtarake në Sauk. Me pak fjalë një aferë, bomba e së cilës shpërtheu verën e vitit të kaluar.

Në 1 korrik të vitit 2020, qeveria miratoi një vendim për të dhënë me qira 20 vjet Bazën e Sarandës kundrejt tarifës simbolike 1 euro për të ndërtuar aty një port jahtesh dhe resort vilash. Por vendimi hasi në kundërshtimin e fortë të një grupi ushtarakësh, përfshirë Artur Mecollarin. Siç u zbulua më vonë, Ministria e Mbrojtjes kishte falsifikuar relacionin e ushtarakëve dhe madje e kishte nxjerrë bazën nga Plani i Përhapjes në mënyrë të paligjshme duke anashkaluar Presidentin e Republikës. Për këtë çështje tashmë ka nisur një hetim penal, ndërkohë që kontrata është bllokuar për shkak se një grup ushtarakësh nuk pranojnë të firmosin letrat e dorëzimit të bazës nga ushtria tek kompanitë private.

Tjetërsimi i pronave të ushtrisë në 5 vitet e fundit është një aferë me përmasa shokuese. Vetëm vlera e pronave detare të falura tek privatët llogaritet në mbi 200 milionë euro. Por kjo nuk është thjesht një çështje vjedhje, siç ndodh rëndom me asetet dhe pronat publike. Në këtë rast, babëzia ka cënuar seriozisht kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë. Me pak fjalë është privatizuar funksioni i vetëm, që nuk mund të privatizohet; mbrojtja kombëtare. Ndaj kjo nuk është një aferë si gjithë të tjerat.

Eksperienca ndërkombëtare ka treguar se kur korrupsioni hyn në ushtri, ai ha kokat më të larta të shtetit. Kroacia dhe Greqia janë vetëm disa prej shembujve. Në Shqipëri nuk ka për të ndodhur ndryshe. Pavarësisht heshtjes së dyshimtë dhe fajësuese të opozitës dhe Presidentit, e sigurtë është se kjo çështje nuk mbyllet dot pa ndëshkim. Dilema e vetme është se në sa koka do të bjerë çekani i drejtësisë. Do të ndalet vetëm në Ministrinë e Mbrotjes apo do të rrëzojë edhe zyrtarë të institucioneve të tjera?

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull