Nga Zaho VASILI-
Lefter Çipa
Te shkëmbi i historisë
atje ku flinte dhe kënga,
vuri supin, po e lëviz
të nxirrte madem nga brenda.
Shtiu derën e historisë
atje ku sundojnë të parët.
me majë pene e lëviz
të dalin margaritarët.
Jashtë po frynin tufanet
në guvën e shkëmbit hyri,
tek trohitnin jataganët
trimat nga shpata i zuri.
Brenda plasi vetëtima
doli nga isua e shtruar,
dhe më pas bubullima
që ai i kish kërkuar.
Një grusht xixash, flakëruar
nga vetëtima u ndanë,
ngrinë një çast, u ngurtësuan
dhe u bënë stralli me famë.
Stralli tha, po kërkoj shokun
që për ne ka për të shkruar,
nga isua i dridhej floku
kënga det i bubulluar.
Që nga mali i Vetëtimës
ku pëlcet me dritë ylberi,
brenda që nga palcë e “shkëmbit”
si strall u shkëput Lefteri.
Lefter Çipa u thërrmua
dekada e vit pas viti,
u thërmua, doli drita
dritë e fjalës llamburiti.
U bë pluhur, prapë ngriu
u kthye sërish në strall,
u shkërmoq e vetëtiu
penën e ktheu në pallë.
Dhe nga majë e saj pikoi
grushti me flori për këngën,
këngën labe e zaptoi
me flori e mbushi zemrën.
Jeta i shkoi Lefterit
shkërmoqu e ngri dyfish,
duke vënë nga një brilant
në unazën e Shqipërisë.
Te shkëmbi hyri dhe vetë
Iku, shpirti fortë na dhembi,
atje do të rrojë për jetë
aq sa do të rrojë dhe shkëmbi…