Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka bërë një auditim në Ministrinë e Rindërtimit të drejtuar nga Arben Ahmetaj, i emëruar në post me këmbënguljen personale të kryeministrit Edi Rama për të menaxhuar paratë për rindërtimin. Në përfundim të kontrollit KLSH ka konstatuar shkelje të rënda që veshin me përgjegjësi penale ministrin Arben Ahmetaj…
“Ministri i Shtetit për Rindërtimin nuk ka të dokumentuar informacione për mënyrën e përdorimit dhe eficiencën e arritur për çdo donacion apo mbështetje të ofruar nga organizatat shtetërore dhe organizmat kombëtarë e ndërkombëtare, shoqatat, personalitetet publike dhe donatorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit”, – thuhet në raportin e publikuar nga “Pamfleti”, sipas të cilit: shuma totale e ofruar për Shqipërinë, nga më shumë se 40 vende dhe banka ka arritur në 1.15 miliardë euro.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar edhe kaosin e krijuar nga Arben Ahmetaj në Ministrinë e Rindërtimit, për të krijuar kushtet optimale për abuzime. Sipas KLSH-së , vijon po i njejti burim mediatik;“Ministri i Shtetit nuk rezulton të ketë bërë ndjekjen e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për strukturat e posaçme, të ngritura me ligj apo vendim, për përballimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti. Nuk demonstrohet dokumentacion në lidhje me veprimtarinë e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin mbi ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara”.
Po sipas KLSH-së Arben Ahmetaj nuk ka të dokumentuar përgatitjen dhe propozimin e projekteve të përgjithshme e të veçanta, që të ishin pjesë e programeve të procesit të rindërtimit, si dhe nuk ka të dokumentuar kërkesa për mbështetje të specializuar njerëzore.
“Ministri i Shtetit për Rindërtimin nuk ka të dokumentuar ushtrimin e kompetencave në lidhje me raportimin dhe ngarkimin me detyra të strukturave të mbrojtjes civile; krijimin e grupeve të punës dhe organizmin e veprimtarive për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit… Sekretariati Teknik i Komisionit Shtetëror të Rindërtimit gjatë veprimtarisë së tij, nuk ka dokumentacion vërtetues për kryerjen e njoftimit dhe dërgimit të materialeve, pa numër protokolli, materialet e dërguara nëpërmjet e-mail-it janë bërë të njohura ditën e mbledhjes në shumicën e rasteve, procesverbalet e mbajtura nuk pasqyrojnë votën kundër, vendimet dhe procesverbalet e mbledhjeve të KSHR nuk janë nënshkruar të gjithë anëtarët etj”, – thuhet në raportin e KLSH, ku konfirmohet se Arben Ahmetaj ka shpërdoruar detyrën në vijimësi dhe në mënyrë të shumëfishtë si Ministër për Rindërtimin.