DURRËS – Të tjera detaje janë zbuluar nga aksioni i Policisë në Portin e Durrësit ku u sekuestruan 45.5 kg heroinë.
Raportohet se lënda narkotike, që duket se kishte destinacion Italinë, ka qenë e destinuar për 3 marrës të ndryshëm.
Për identifikimin e pakove, janë përdorur një shirit i zi, një shirit i bardhë dhe një me mbishkrimin “banane”.
Policia njofton se si rezultat i finalizimit të operacionit “Portëz” ranë në pranga pronari i mjetit, Arian Çerma dhe drejtuesi i tij, Olgert Duda, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar dijeninë mbi sasinë e heroinës.
Kamioni, i cili kishte për destinacion shtetin italian ishte i ngarkuar me krom. Pas kontrollit të imtësishëm në kabinën e kamionit u gjetën të fshehura 43 pako të mbështjella me natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike.