Industria e ndërtimit ka një problem të madh me mungesën e fuqisë së kualifikuar punëtore – kjo edhe për faktin se punëson shumë pak gra. Çfarë duhet bërë për të ndryshuar gjendjen?
“Püppi në punë” është një influencere e njohur në punën e saj të dytë. Gruaja e re me flokë të kuqe me një tatuazh në krah i pëlqen kamionët e mëdhenj, mbi të gjitha ngarkuesin me rrota Caterpillar. Agnes Borchers është ndoshta punëtorja më e njohur e ndërtimit në Gjermani dhe poston nga puna e saj e kompanisë për rrënime Hagedorn në Facebook, Instagram dhe TikTok. Pas shkollimit për kopshtari dhe bujqësi, ajo është punësuar si makiniste, sepse qysh si fëmijë donte të bënte diçka me ekskavator.
Asaj i duket e pabesueshme vet fuqia dhe madhësia e makinave të ndërtimit: “Është e mahnitshme se çfarë masash mund të lëvizin ato! Ndërsa teknologjia brenda kabinës është aq e ndjeshme sa mund të punosh me saktësi prej centimetrash.” Për më tepër, puna ofron një konfirmim afatgjatë: “Edhe vite pas përfundimit të projektit, unë ende mendoj se është e mrekullueshme të kalosh pranë ndonjë kantieri ku kam punuar dhe them: edhe unë kam punuar këtu!”, thotë Borchers, e cila është edhe fytyra e fushatës “Frau am Bau” (Gruaja në ndërtimtari).
Ndalim i gjatë i angazhimit profesional
Fushata u iniciua nga shefja e saj Barbara Hagedorn. Së bashku me të shoqin, ajo drejton biznesin familjar me të njëjtin emër dhe beson se problemi më i madh i kësaj industrie është mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore. Kjo fushë ekonomie ka përjetuar një bum të pandërprerë për më shumë se një dekadë, por tani ka vështirësi në përmbushjen e të gjitha porosive.
Brenda pak vitesh do të dalë në pension një e katërta e punëtorëve të tanishëm në ndërtimit. Ndërkohë që asnjë degë tjetër e ekonomisë në Gjermani nuk punëson kaq pak gra sa industria e ndërtimtarisë: vetëm 13 përqind. Shumica e tyre punojnë në planifikim dhe administratë. Ato si Agnes Borchers, të cilët vërtet punojnë në kantier, janë edhe më të rralla. Sipas Shoqatës së Industrisë Gjermane të Ndërtimit (HDB), përqindja e grave midis muratorëve, punëtorëve të betonit, marangozëve dhe operatorëve të pajisjeve të ndërtimit është pak më pak se tre përqind.
Deri në vitet 1990 ishte e ndaluar për “gjininë e dobët” në Gjermaninë Perëndimore të punonte në ndërtim: kjo punë konsiderohej shumë e rëndë dhe shumë e ndotur. Në RDGJ, nga ana tjetër, kishte shofere vinçash dhe të ekskavatorëve, inxhiniere të ndërtimit dhe arkitekte. Numri i tyre po rritet gradualisht tani edhe në Gjermaninë e bashkuar. Shumë persona të kualifikuar zënë punë në shërbimin publik: punët atje kanë reputacionin se janë më miqësore me familjen sesa në sektorin privat dhe në ndërtimtari.
Më shumë gra
Tani më nuk mund të thuhet se këto punë janë të rënda dhe të pista: Teknologjia dhe metodat e reja të punës kërkojnë tru dhe jo forcë muskulore, thekson Barbara Hagedorn. Kompania i ka vënë vetes synimin që të punësojë më shumë femra për trajnime jashtë administratës. Për këtë qëllim, gratë në kompani u prezantuan në postera, në faqe interneti dhe në mediat sociale. Vajzat e interesuara mund të provojnë se si duhet të punosh me ekskavator. Prej verës së kaluar, kjo kompani që është ndër pesë më të njohurat në botë për rrënime ka futur në punë katër femra të reja për trajnime dhe një inxhiniere të re dhe një shofere kamioni.
Pjesëmarrësit në një anketë që ka bërë Hagedorn, në fillim të vitit 2021, thonë se në këtë industri duhet të ketë më shumë femra modele për të kryer këtë punë. 75 përqind e të anketuarve e shohin seksizmin dhe paragjykimin si një problem në industri: 80 përqind e meshkujve të anketuar ndajnë këtë mendim. Të anketuarit e të dy gjinive gjithashtu pajtohen se gratë me të njëjtat kualifikime e kanë më të vështirë të promovohen.
Dallimet e mëdha në rroga
Një element tjetër shumë i rëndësishëm janë edhe pagesat, sepse gratë në ndërtimtari paguhen mesatarisht një të katërtën e pagave më pak për të njëjtën punë, konstatoi HDB në fillim të vitit. Edhe ato kanë përfituar nga bumi i fundit në ndërtimtari. Por dallimi në rroga me kolegët meshkuj ka mbetur. Iniciativës së Hagedorn i janë bashkuar ndërkohë edhe 15 kompani të tjera për punësimin e më shumë grave në ndërtimtari.
Bianca Weber-Lewerenz ishte muratorja e parë në Baden-Württemberg në vitin 1997. Gjatë praktikës në fillim ajo kuptoi: “Ndërtimtaria është ajo që dua!” Ajo donte të shihte ndërtesën të rritej dhe të nuhaste betonin e freskët. Fakti që nuk kishte asnjë grua tjetër në kompani dhe asnjë dhomë për ndërrimin e rrobave për femra nuk e trembte atë. Bashkëpunimi me meshkujt në punë ishte i shkëlqyeshëm: “Burrat i respektojnë gratë që mund të përballojnë erën dhe motin jashtë, dhe gratë që kanë një plan”.
Ajo tani është një inxhiniere ndërtimi, konsulente e pavarur ndërtimi, mentore në MINT për nxënësit e shkollave dhe studiuese e pavarur shkencore. Tema që ka për zemër aktualisht është dizajni etik i transformimit digjital në ndërtim. Weber-Lewerenz themeloi një iniciativë përkatëse vitin e kaluar.
Alogaritmet
Inteligjenca artificiale (IA) ka filluar të mbizotërojë edhe këtë fushë të ekonomisë. Ajo lehtëson, për shembull, punën edhe në fushën e makinerive të rënda dhe ndërtimeve të larta, monitoron teknologjinë dhe automatizon proceset. Por algoritmet kryesisht punojnë sipas parimit të kutisë së zezë: Nuk dihet se çfarë vendime do të marrin.
Nëse ka mungesë të specialisteve dhe menaxhereve femra, ekziston rreziku që makinat të projektohen vetëm për zëvendësimin e atyre punëve ku mund të punësohen femrat, thotë Weber-Lewerenz. Kjo çon në falsifikimin e vendimeve të mbështetura nga IA. Ajo mendon se gratë duhet të përfaqësohen në të gjitha proceset e vendimmarrjes, në mënyrë që nevojat e tyre si përdoruese të ndërtesave publike dhe private të merren parasysh dhe të shfaqen risi.
Edhe kompanitë po mbështeten gjithnjë e më shumë nga IA kur kërkojnë fuqi punëtore. Inteligjenca artificiale ushqehet me të dhëna nga e kaluara dhe këto të dhëna klasifikohen. Problemi është që në të kaluarën nuk kanë punuar gra në ndërtimtari. Ndaj të dhënat e IA janë të njëanshme./ DW