Ja pse të dhënat dixhitale drejtojnë sot botën tonë

9 Minuta Lexim

Nga Richard STENGEL-

Ne jetojmë në kohën e revolucionit më të madh të informacionit në historinë njerëzore, madje më të madh sesa ajo që solli shpikja e shtypshkronjës. Vlerësohet se 1.7 MB të dhëna krijohen çdo sekondë për çdo person në botë, pra e njëjta sasi të dhënash që nevojiten për të ruajtur një libër prej 850 faqesh.

Ndërkohë çdo ditë dërgohen më shumë se 300 miliardë e-maile, dhe Google përpunon rreth 6 miliardë kërkesa. Çdo minutë, përdoruesit e YouTube konsumojnë mbi 4 milionë video. Rreth 2.5 megabajt të dhëna gjenerohen çdo ditë. Një megabajt është 1 miliard gigabajt, e barabartë me 3000 herë më shumë se sa përmbajtja e Bibliotekës së Kongresit Amerikan. Ndaj nuk është e habitshme pse kompania“IBM” raportoi se 90 për qind e të gjitha të dhënave në historinë e botës u krijuan midis viteve 2010-2012, pra kur nisi rritja e madhe

e mediave sociale.

Dhe këto shifra po rriten në mënyrë eksponenciale, siç mund të pritet kur më shumë se 6 miliardë njerëz mbajnë në dorë motorin më të fuqishëm të informacionit në historinë njerëzore. Sot, shkencëtarët vlerësojnë se të dhënat do të konsumohen me një normë vjetore rritjeje prej 23 për qind nga tani deri në vitin 2025.

Çdo veprim që bëjmë në smartfonët tanë, kërkim, tekst, shtypje, klikim, pëlqim dhe blerje, krijon më shumë të dhëna. Për më tepër, të njëjtat makina që krijojnë të gjithë këtë informacion, na japin edhe akses në të:çdo person me një telefon inteligjent, mund të ketë akses tek më shumë informacion se kushdo në histori.

E megjithatë një studim i vitit 2012, tregoi më pak besim tek shkenca dhe faktet sesa në kohët para internetit. Disa njerëz mund të ndihen të mbingarkuar me informacione, të tjërëve u mungojnë aftësitë bazë për të përfituar nga ky revolucion informativ:43 milionë amerikanë kanë aftësi të ulëta kulturore, dhe 8.4 milionë klasifikohen si analfabetë funksionalë.

Rezultatet mesatare të analfabetizmit në SHBA kanë rënë gjatë 10 viteve të fundit. Kjo mund të shpjegojë edhe arsyen se pse përballë një pandemie botërore, miliona njerëz duket se nuk i kuptojnë – apo nuk u besojnë – parimeve të shkencës moderne. Një shpjegim tjetër është “cunami” i dezinformatave në rritje gjatë 10 viteve të fundit.

Siç shkruajnë Peter Ajken dhe Tod Harbër në librin e tyre të ri “Analfabetizimi mbi të dhënat”,kuptimi mbi të dhënat duket se ka ngecur. Në një kohë kur ka më shumë të dhëna, më shumë fakte, më shumë informacione – më shumë njohuri – dhe të gjitha ato vihen në dispozicion në çast, miliona njerëz varen nga intuita, bestytnitë dhe teoritë e komplotit.

Ok, le t’ia nisim nga fillimi:Çfarë janë të dhënat? Dhe çfarë do të thotë të kesh njohuri mbi të dhënat në një epokë dixhitale? Të dhënat – janë shumës – njësi informacioni. Në shkencë, të dhënat janë një grup faktesh, por në botën dixhitale ato janë copa dhe bajt informacioni. Siç vërejnë Ajken dhe Harbër, të dhënat janë unike (ato e ruajnë vlerën e tyre), të pashterueshme (nuk mund t’i harxhoni), të pa degradueshme (janë përgjithmonë të aksesueshme), rigjeneruese (mund të përdoren vazhdimisht), dhe kostoja zvogëlohet me përdorimin e tyre.

Ajo çfarë ishte nafta për epokën industriale, janë të dhënat për epokën e informacionit.

Ato e ushqejnë ekonominë dixhitale. Ndërkohë, çfarë është shkrim-leximi i të dhënave? Ekzistojnë 2 lloje shumë të ndryshme. Njëri është të dish të analizosh dhe interpretosh të dhënat.

Ai është shumë tradicional dhe nënkupton të kuptuarit e të dhënave në një kuptim matematikor ose akademik. Nëse çdo amerikan do t’i kuptonte të dhënat në nivelin e një kursi gjimnazistësh të shkollës së mesme, mund të kishim shumë më pak probleme me hezitimin ndaj vaksinave.

Për shembull, nëse i thoni dikujt se ka pasur më shumë se 24.000 infeksione të reja, ai mund të tronditet. Por nëse vëreni se është vetëm 1 në 5000, ose 0.02 për qind, e kuptoni se është një numër shumë i vogël. Lloji i dytë i njohjes së të dhënave, përfshin të kuptuarit se si funksionon ekonomia e të dhënave, dhe sidomos roli që luajnë të dhënat dhe informacioni juaj në të.

Pra më konkretisht, se si njerëzit ndajnë të dhënat, si i përdorin kompanitë të dhënat tuaja, dhe sa vlejnë të dhënat tuaja. Këto kohë kjo i prek pothuajse të gjithë, por shumicës së njerëzve nuk u pëlqen të mendojnë për të. Një studim tregoi se 74 për qind e punonjësve raportojnë se ndihen të mbingarkuar apo të pakënaqur kur punojnë me të dhëna.

Megjithatë, të dhënat mund dhe duhet t’u japin mundësi njerëzve të marrin vendime më

të mira dhe më të informuara për çdo aspekt të jetës së tyre. Ato mund të përmirësojë produktivitetin dhe konkurrencën, dhe duhet të na bëjnë të gjithëve qytetarë më të mirë.

Pa to ne jemi më të ndjeshëm ndaj manipulimit dhe dezinformimit, dhe kjo përbën një kërcënim për shoqërinë dhe demokracinë tonë. Ashtu si arsimi universal u bë një gur themeli i demokracisë në fillim të shekullit XX-të, edhe njohja e të dhënave është bërë thelbësore për qytetarinë e shekullit XXI-të.

Të dhënat -apo të dhënat tuaja – janë ato që mbajnë në këmbë kompani me vlerë qindra miliarda dollarë si Facebook dhe Google. Të dhënat tuaja, që të gjitha, kanë vlerë dhe po i bëjnë ata të pasur. Platformat dhe ofruesit online, mbledhin thuajse gjithçka që munden për ju dhe e analizojnë atë për një sërë qëllimesh:për të optimizuar angazhimin (duke ju mbajtur në linjë); për të personalizuar reklamat (duke ju shitur gjëra); për t’ua lënë në përdorim palëve të treta (që t’ju shesin më shumë gjëra); për të parashikuar sjelljen tuaj dhe të të tjerëve (për ta ditur se çfarë mund të blini).

Nuk ka asgjë që ata mos dinë për ju. Çdo sekondë që jeni në linjë ose në telefonin tuaj, ju po i jepni të dhënat tuaja dikujt që po fiton para. Shoshana Zubof ka shkruar se po jetojmë në epokën e kapitalizmit survejues. Por masa e njerëzve nuk është e vetëdijshme për këtë gjë. Miliona prej nesh e kanë shkëmbyer me lehtësi sigurinë me privatësinë. Por ky është një pazar i rrezikshëm. Një hap më shumë drejt manipulimit, mashtrimit dhe piraterisë së drejtpërdrejtë. Sulmet kibernetike varen pjesërisht nga analfabetizmi mbi të dhënat. Dhe ato po rriten. Prandaj jini shumë vigjilentë. Mos besoni dhe verifikoni. Jini të kujdesshëm mbi qasjen në të dhënat tuaja.

Jini skeptik ndaj çdo kërkese për informacion. Mos u jepni automatikisht aplikacioneve qasje mbi vendndodhjen, fotografitë, kontaktet tuaja. Bëjeni këtë gjë vetëm kur ka kuptim. E pse duhet t’i jepni aplikacionit të një restoranti qasje në kamerën tuaj?

Nuk duhet t’i jepni askujt qasje të plotë në kontaktet tuaja. Mos hapni mesazhe nga njerëz që nuk i njihni. Gjithçka që thoni apo bëni në internet do të ekzistojë aty thuajse përgjithmonë, ndaj mendohuni 2 herë për atë që postoni në mediat sociale. Por njohja e të dhënave nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e privatësisë dhe sigurisë suaj. Ajo ka të bëjë edhe me të kuptuarit e botës dixhitale, që bazohet në informacionin që ne u japim të tjerëve, dhe ka të bëjë me mbrojtjen e demokracisë sonë dhe pjesëmarrjen tonë në të, si qytetarë vërtet të informuar. / “Time” – Bota.al

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull