Një nga lojtarët e Kombëtares që është lakuar më shumë javët e fundit është sulmuesi 20-vjeçar Armando Broja, i cili përveç tre golave të shënuar me ngjyrat kuqezi në katër takime të pjesshme të luajtur në eliminatoret e Botërorit, shënoi dy gola me vlerë për skuadrën e tij në Premier League, Sauthemptonin.
Broja shkëlqeu, por “syri i keq” bëri efektin e vet, sepse rezulton se është dëmtuar dhe rrezikon të mos jetë në duelet e Kombëtares në nëntor. Kështu, pasi shënoi dy gola, në po kaq sfida radhazi si titullar te Sauthempton, sulmuesi i kombëtares shqiptar nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Hasenhutl për transfertën e nesërme ndaj Uatford.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë tekniku austriak i “shenjtorëve”, që në konferencën për shtyp para ndeshjes deklaroi se 20-vjeçari nuk do të udhëtojë me skuadrën në transfertën ndaj Uatfordit, për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës. “Ai dëmtoi kyçin e këmbës kur shënoi ndaj Bërnlit dhe nuk është rikuperuar ende, ndaj nuk do të udhëtojë me skuadrën nesër. Më vjen keq që ndalet në këtë moment, pasi ishte në formë të mirë fizike dhe mbi të gjitha mendore, megjithatë besoj që ky pushim, do ta ndihmojë të rikuperohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh Hasenhutl.