Nga Besim Dybeli
–“ Ejani të na takoni në Elbasan sot më 1 nëntor 2021”!,- ka qenë ftesa e ambasadës së Suedisë në Tiranë. Dhe realisht, sot ka “mbërritur” në Elbasan, ku do të qëndrojë një ditë. Aktiviteti “Pop–up Embassy” do të organizohet nga ora 10.00 deri 12.00 në Sheshin “Gensher”. – Ejani të vizitoni stendën tonë dhe të shijoni “fika-n” suedeze (simite me kanellë, lëng frutash), -thuhet në lajmërimin shpërndarës. – Na pyesni për Suedinë, bashkëpunimet suedeze-shqiptare, kulturën suedeze, bizneset, gjuhën, politikën e jashtme feministe të Suedisë, përpjekjet për demokraci dhe zhvillim të qëndrueshëm, – shtohet në njoftim. Pushtetarë e qytetarë do të kenë mundësinë, edhe të takojnë, Ambasadoren e Suedisë në Shqipëri, Zj. Elsa Håstad, dhe kolegët e saj nga Ambasada, si edhe partnerët e kësaj ambasade në Elbasan. Sot mbasdite, nga ora 15.00 deri 16.00 futbolldashësit do të mund të ndjekin ndeshjen e futbollit mes Bashkisë së Elbasanit dhe ekipit të futbollit të Ambasadës së Suedisë, te Kompleksi Ajek. Ndërsa në mbrëmje ora 17.00 deri 19.00, qytetarët ftohen në një shfaqje falas të filmit “Catëalk” (Pasarela) në Teatrin Skampa.