Historike/ Liderët botërorë marrëveshje për të ndalur shpyllëzimin deri në 2030

2 Minuta Lexim

Më shumë se 100 liderë botërorë kanë arritur marrëveshjen e parë ambicioze në samitin e klimës që po zhvillon punimet në Glasgow të Skocisë. Udhëheqësit e vendeve që përfaqësojnë 85% të pyjeve të botës premtojnë se do të ndërmarrin veprime historike për t’i dhënë fund shpyllëzimit deri në vitin 2030.

Zotimi do të mbështetet me 20 miliardë dollarë financa publike dhe private nga 12 vende, deri në vitin 2025. Në mesin e tyre përfshihen Brazili, Indonezia dhe Republika Demokratike e Kongos, të cilat kanë disa nga pyjet më të mëdha dhe më të rrezikuara në botë.

Kryeministri Boris Johnson deklaroi se ky është hapi më i madh që është ndërmarrë ndonjëherë në mbrojtjen e pyjeve të botës.

BORIS JOHNSON- KRYEMINISTER I BRITANISE SE MADHE

 “Kjo do t’i mbështesë aktivitetet në vendet në zhvillim, përfshirë restaurimin e tokës së degraduar, do t’i trajtojë zjarret dhe do t’i përkrahë të drejtat e komuniteteve indigjene. Bota do të ketë shansin për t’i dhënë fund historisë së gjatë të njerëzimit si pushtues i natyrës dhe, në vend të kësaj, njeriu do të bëhet kujdestar i saj”.

Ekspertët e mirëpritën zotimin, por kujtuan se një marrëveshje e mëparshme, në vitin 2014, ka dështuar të ngadalësojë shpyllëzimin.

Sipas Vëzhguesit Global të Pyjeve, bota ka humbur 258,000 kilometra katrorë pyje në vitin 2020. Kjo është një hapësirë më e madhe se Mbretëria e Bashkuar.

Pesë vende – Britania, Shtetet e Bashkuara, Norvegjia, Gjermania dhe Holanda – si dhe disa financues privatë, janë zotuar gjithashtu për ndarjen e 1.7 miliardë dollarëve, për të mbështetur ruajtjen e pyjeve nga njerëzit indigjenë.

Ambientalistët thonë se komunitetet indigjene janë mbrojtësit më të mirë të pyjeve.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull