EUROPA LEAGUE/ Gjitha ndeshjet e ditës së sotme

10 Minuta Lexim

Edicioni hapës i Ligës së Konferencës ka përshkuar gjysmën e rrugës, përsa i përket fazës së grupeve dhe 32 skuadrat pjesëmarrëse janë gati për ndeshjet e katërta, në këtë pjesë vërtet shumë të rëndësishme të këtij kompeticioni. Është sezoni i parë i këtij aktiviteti dhe kurioziteti natyrisht është tepër i madh, për të kuptuar se sa do të jenë në gjendje klubet e kampionateve kryesore të Kontinentit të Vjetër për t’i rezistuar kërcënimit të fortë që vjen nga gjithë ekipet e vendeve të tjera.

Spanja siç dihet këtë herë u përfaqësua me plot pesë klube në Champions, për shkak të triumfit të Villarreal-it sezonin e kaluar në Europa League, kështu që në edicionin hapës të UEFA Europa Conference League deri në mbylljen e kësaj faze nuk do të ketë asnjë ekip nga ky vend. Kuptohet, nëse ndonjë nga dy skuadrat pjesëmarrëse në Europa League Real Sociedad dhe Real Betis renditet në fund të këtij raundi në vendin e tretë në fazën e grupeve atëherë po, Spanja do të mund të ketë një klub edhe në edicionin hapës të Ligës së Konferencës.

Për momentin “fuqitë e mëdha” përfaqësohen me klube si Tottenham Hotspur, Roma, Union Berlin dhe Stade Rennais, prandaj është e qartë që edhe skuadra favorite e këtij kompeticioni të dalë fillimisht nga kjo katërshe. Disfata e turpshme e verdhekuqve në Norvegji nuk është se ka ndikuar shumë dhe bookmakers-at vazhdojnë të kuotojnë skuadrën e Jose Mourinho-s si favorite për të triumfuar në finalen e madhe të 25 majit. Në fushë sot pritet të zbresin disa lojtarë shqiptarë si, Ernest Muci me Leagia, Myrto Uzuni me Frencvaros apo edhe Strakosha e Hysaj me Lazion.

Si për ironi të fatit në vendin e dytë pozicionohet pikërisht ish-ekipi I trajnerit të mirënjohur portugez Tottenham Hotspur, pavarësisht momentit të vështirë dhe problemeve të mëdha me të cilat është përballur në këtë fillim sezoni klubi londinez. Për hir të së vërtetës telashet nisën që pas shkarkimit të trajnerit të famshëm luzitan pak pas mesit të muajit prill, madje vetëm gjashtë ditë para finales së Kupës së Ligës ndaj Manchester City-t, për më tepër e gjitha kjo në një kohë kur Mourinho ishte i vetmi trajner që i kishte shkaktuar humbje në një finale Guardiolës, sepse gjashtë javë më pas Pep u mposht gjithashtu edhe nga gjermani Thomas Tuchel, në finalen e shkuar të Champions-it.

“Gjelat” që nuk fitojnë trofe prej plot 13 vjetësh ia besuan ekipin trajnerit të moshave Ryan Mason dhe në fakt pas vendit të shtatë në mbylljen e kampionatit të kaluar në Premiership administratori i përgjithshëm Daniel Levy vuajti plot dy muaj e gjysmë për të bindur dikë për të marrë në dorë drejtimin e skuadrës. Asokohe u lakua gjatë edhe emri i Antonio Conte-s, megjithatë trajneri italian nuk ra dakord me 59-vjeçarin nga Essex, e sipas tabloidëve të shumtë britanikë pikërisht për shkak të kërkesave tepër të larta të teknikut puljez.

Trajneri i përzgjedhur Nuno Espirito Santo e mbajti timonin për vetëm katër muaj, pasi 47-vjecari I lindur në Sao Tome Principe u shkarkua për arsye të rezultateve të dobëta. Me Nuno-n “spurs” fituan 5 nga 10 sfidat e para të kampionatit, duke regjistruar plot 5 humbje dhe grumbulluar thjeshtë 15 pikë, pra 6 pikë më pak se sa paraardhësi i tij portugez, krahasuar me po të njëjtën periudhë kohe. Ish-trajneri i Wolverhampton-it nuk hyri kurrë në zemrat e tifozëve të Tottenham-it dhe “gjelat” çaluan shumë gjithashtu edhe në UEFA Europa Conference League, duke grumbulluar thjeshtë 4 pikë gjithsej.

Përgjithësisht Nuno në këtë aktivitet preferoi të mbështetet te zgjedhjet e dyta dhe futbollistët që kanë pasur më pak hapësirë, sidoqoftë ekipi londinez pati vërtet shumë fat në Francë, teksa ia doli për të barazuar me kuqezinjtë e Rennes me rezultatin 2-2, ndërsa me kampionët e Sllovenisë në Londër “gjelat” shpërthyen në gola vetëm pasi skuadra e Mura-s barazoi përkohësisht shifrat në fillimin e pjesës së dytë, për të triumfuar më pas me rezultatin e thellë 5-1. Dy javë më parë në GelreDome të Arnhemit përpara 24.000 spektatorëve “spurs” u dominuan për pjesën më të madhe të kohës dhe në fund Vitesse me meritë fitoi takimin 1-0, duke zbritur Tottenham-in në vendin e tretë.

Grupi G konsiderohet si “grupi I ferrit”, por gjithsesi askujt nuk i shkonte ndër mend kur u hodh shorti se ekipi londinez mund të rrëshqiste kaq poshtë, sa për të vënë në dyshim kualifikimin. Në Eredivisie falë 3 fitoreve në 4 sfidat e fundit verdhezinjtë janë ngjitur në pozicionin e pestë, në kuotën e 19 pikëve pas 11 javëve, me shtatë pikë më pak se kampionët në fuqi të Ajaksit, ndërsa Tottenhami në krahun tjetër me vetëm 2 fitore në 7 takimet e fundit në Premiership shkarkoi pa humbur kohë Nuno-n, duke ia besuar menjëherë skuadrën trajnerit italian Antonio Conte.

Disfata 3-0 me Manchester United të shtunën në mbrëmje, në sfidën e pagëzuar “El sackiko”, për shkak të pozitave të dëshpëruara dhe rrezikut të shkarkimit si për trajnerin luzitan ashtu edhe për norvegjezin Ole Gunnar Solskjaer duket se e mbushi përfundimisht kupën dhe me sa kuptohet Drejtori Sportiv i klubit Fabio Paratici ia doli mbanë për të bindur shpejt administratorin e përgjithshëm dhe drejtuesin më të lartë të klubit Daniel Levy për të kthyer kursin drejt 52-vjeçarit nga Lecce.

Antonio Conte firmosi për vetëm 18 muaj, me pagë të njëjtë me Mourinho-n, pra plot 15 milionë stërlina në vit, sidoqoftë mbetet për t’u parë se sa do ta mbajë fjalën këtë herë Levy, duke pasur parasysh që në krye të listës së dëshirave të trajnerit puljez qëndron sulmuesi I talentuar I Juventusit Federico Chiesa, i cili kërkohet me ngulm edhe nga klube si Liverpool dhe Chelsea. Natyrisht 20 milionë dollarë janë vërtet shumë por këtë radhë me sa kuptohet Conte ka preferuar që të vendosë një bast të fortë me veten, sepse duke hequr mënjanë futbollistë si Harry Kane apo Heung-min Son Tottenhami-t i mungojnë lojtarët cilësorë në fazën e sulmit apo qoftë edhe ndërtimit të aksioneve.

Tottenhami është gjithashtu edhe në fazën çerekfinale të Kupës së Ligës, ku spurs do të masin forcat në shtëpi në derbin e zjarrtë londinez me “cekanët” e West Ham-it, por sidoqoftë në mënyrë të kuptueshme trajneri i ri Antonio Conte pritet ta vlerësojë edhe Ligën e Konferencës dhe duelin me Vitesse-n pavarësisht se të dielën “gjelat” i pret një mision tepër i vështirë me Everton-in në Goodison Park. Miqtë i kanë humbur pa shënuar madje asnjë gol tre vizitat që kanë pasur përgjatë tre dekadave të fundit në ishull, ndaj skuadrave angleze, me kundërshtarë si Norwich City, Liverpool dhe Southampton.

Takimi Tottenham – Vitesse do të luhet në orën 21:00 në Londër dhe do të drejtohet nga kryesori italian Marco Di Bello, gjithsesi një interesim të madh ka gjithashtu edhe për Romën, duke pasur parasysh humbjen e turpshme 6-1 në Norvegji me Bodo/Glimt, që përfaqëson padyshim edhe disfatën më të rëndë në karrierën e Jose Mourinho-s. Në Norvegji në njëfarë mënyre influencoi temperatura e ulët si dhe tapeti artificial, sidoqoftë asgjë nuk mund të shërbejë si alibi për verdhekuqtë.

Këtë radhë dueli do të mbahet në “Qytetin e Përjetshëm” dhe në mënyrë të pashmangshme trajneri luzitan është i shtrënguar për ta nisur ndeshjen me një formacion diçka më të fortë, krahasuar me sfidën e dy javëve më parë, për më tepër edhe kapiteni Lorenzo Pellegrini është i dëmtuar. Ekipi nordik nuk është aspak për t’u nënvlerësuar, sepse ka siguruar pothuajse titullin në Eliteserien dhe ka regjistruar 14 fitore e vetëm 4 barazime në 18 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet.

Verdhekuqtë do të zbresin vetëm 61 orë më vonë në fushë, në takimin me Venecian. Historia e klubit norvegjez Bodo / Glimt ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore, por gjithsesi miqtë i kanë humbur që të katërta vizitat në Itali, duke realizuar madje thjeshtë në takimin e vjetshëm me Milanin në San Siro, në disfatën me shifrat 3-2, në fazën kualifikuese të Europa League-s. Edhe takimi Roma – Bodo / Glimt do të zhvillohet në orën 21:00 dhe do të drejtohet nga arbitri grek Anastasios Papapetrou./Supersport

EUROPA LEAGUE/ Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme, lojtarët

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull